
Policia Kufitare në Morinë ka ndaluar tre shtetas në hyrje të Shqipërisë, në kuadër të kontrolleve të shtuara për parandalimin e krimeve ndërkufitare.
Në rastin e parë, u arrestua me qëllim ekstradimi shtetasi D.P., 22 vjeç, banues në Gjermani, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane. Ai ishte i dyshuar për pjesëmarrje në grup kriminal dhe mashtrim, me vendim arresti nga Gjykata e Cologne-s. Interpol Tirana po bashkëpunon me autoritetet gjermane për ekstradimin e tij.
Në rastin e dytë, u arrestua në flagrancë shtetasi V.B., 30 vjeç, nga Prishtina, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij tip “Volkswagen” u gjet një sasi e vogël kokainë. Ai u ndalua për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Ndërkohë, ndaj shtetasit A.M., 22 vjeç, po ashtu nga Prishtina, nisi procedim penal në gjendje të lirë, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjetën 14 300 euro të padeklaruara. Shuma u sekuestrua si provë materiale.
Njoftimi:
Morinë, Kukës
Tentoi të hynte në Shqipëri, ndërkohë që kërkohej nga autoritetet Gjermane, arrestohet me qëllim ekstradimi 22- vjeçari.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të kontrolleve të bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, për parandalimin e lëvizjes së shtetasve që janë në kërkim, u ndalua në hyrje të Shqipërisë, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës, shtetasi D. P., 22 vjeç, banues në Gjermani.
Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijën e dytë në hyrje të vendit, rezultoi se 22-vjeçari ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden Gjermani, pasi në shkurt 2025, Gjykata e Cologne-s në Gjermani, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për këtë shtetas, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Grup kriminal” dhe “ Mashtrim”.
Interpol Tirana në bashkëpunim me homologët në Gjermani, vijon procedurat për ekstradimin e 22-vjeçarit.
Ndërkohë shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kaluan në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, automjetin tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin V. B . Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë gjetën një sasi të vogël lëndë të dyshuar narkotike kokainë, e cila u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin V. B., 30 vjeç, banues në Prishtinë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Gjithashtu, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 22 vjeç, banues në Prishtinë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Procedimi penal për këtë shtetas nisi pasi në hyrje të RSh-së, gjatë kontrollit fizik shtetasit A.M., shërbimet e Policisë i gjetën 14 300 euro, të cilat nuk i deklaroi konform ligjeve në fuqi. Paratë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.