
Hamasi tha të shtunën se po kërkonte ndryshime për një propozim të mbështetur nga SHBA-ja për një armëpushim të përkohshëm me Izraelin në Gaza, por i dërguari i presidentit Trump hodhi poshtë përgjigjen e grupit si “krejtësisht të papranueshme”.
Grupi militant palestinez tha se ishte i gatshëm të lironte 10 pengje të gjallë dhe të dorëzonte trupat e 18 të vdekurve në këmbim të të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite. Por Hamasi përsëriti kërkesat për përfundimin e luftës dhe tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza, kushte që Izraeli i ka hedhur poshtë.
Një zyrtar i Hamasit e përshkroi përgjigjen e grupit ndaj propozimeve nga i dërguari i posaçëm i Trump për Lindjen e Mesme Steve Ëitkoff si “pozitive”, por tha se po kërkonte disa amendamente. Zyrtari nuk dha hollësi mbi ndryshimet që po kërkon grupi.
“Kjo përgjigje synon të arrijë një armëpushim të përhershëm, një tërheqje të plotë nga Rripi i Gazës dhe të sigurojë rrjedhën e ndihmave humanitare për njerëzit tanë atje”, tha Hamasi në një deklaratë.
Propozimet do parashikonin një armëpushim 60-ditor dhe shkëmbimin e 28 nga 58 pengjeve që mbahen ende në Gaza për më shumë se 1200 të burgosur dhe të paraburgosur palestinezë, së bashku me hyrjen e ndihmës humanitare në enklavë, shkruan Reuters.

Një zyrtar palestinez i njohur me bisedimet i tha Reuters se ndër amendamentet që Hamasi kërkon është lirimi i pengjeve në tre faza gjatë armëpushimit 60-ditor dhe shpërndarjes së më shumë ndihmave në zona të ndryshme. Hamasi gjithashtu dëshiron garanci se marrëveshja do çojë në një armëpushim të përhershëm, tha zyrtari.
Nuk pati asnjë përgjigje të menjëhershme nga zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ndaj deklaratës së Hamasit.
Izraeli ka hedhur poshtë më parë kushtet e Hamasit, në vend të kësaj ka kërkuar çarmatimin e plotë të grupit dhe çmontimin e tij si një forcë ushtarake dhe qeverisëse, së bashku me kthimin e të 58 pengjeve të mbetura.
Trump tha të premten se besonte se një marrëveshje armëpushimi ishte afër pas propozimeve të fundit dhe Shtëpia e Bardhë tha të enjten se Izraeli kishte rënë dakord me kushtet.
Duke thënë se kishte marrë përgjigjen e Hamasit, Witkoff shkroi në një postim në X: “Është krejtësisht e papranueshme dhe vetëm na çon prapa. Hamasi duhet të pranojë propozimin kornizë që kemi paraqitur si bazë për bisedimet, të cilat mund t’i fillojmë menjëherë këtë javë”.
Të shtunën, ushtria izraelite tha se kishte vrarë Mohammad Sinwar, shefin e Hamasit në Gaza më 13 maj, duke konfirmuar atë që Netanyahu tha në fillim të kësaj jave.

Sinwar, vëllai më i vogël i Yahya Sinwar, udhëheqësi i vdekur i grupit dhe organizatori i sulmit të tetorit 2023 ndaj Izraelit, ishte objektivi i një sulmi izraelit në një spital në Gazën jugore. Hamasi as e ka konfirmuar dhe as mohuar vdekjen e tij.
Ushtria izraelite, e cila rifilloi fushatën e saj ajrore dhe tokësore në mars pas një armëpushimi dy mujor, tha të shtunën se po vijonte të godiste objektivat në Gaza, duke përfshirë pikat e snajperëve dhe kishte vrarë atë që tha se ishte kreu i një uzine të prodhimit të armëve të Hamasit.
Fushata ka spastruar zona të mëdha përgjatë kufijve të Rripit të Gazës, duke e shtrydhur popullsinë prej më shumë se 2 milionë banorësh në një seksion gjithnjë e më të ngushtë përgjatë bregut dhe rreth qytetit jugor të Khan Younis.
Izraeli vendosi një bllokadë për të gjitha furnizimet që hynin në enklavë në fillim të marsit në një përpjekje për të dobësuar Hamasin dhe e ka gjetur veten nën presion në rritje nga një komunitet ndërkombëtar i tronditur nga gjendja e dëshpëruar humanitare që ka krijuar bllokada.
Të shtunën, grupet e ndihmës thanë se dhjetëra kamionë të Programit Botëror të Ushqimit që transportonin miell në furrat e Gazës ishin rrëmbyer nga grupe të armatosura dhe më pas ishin grabitur nga njerëz të dëshpëruar për ushqim pas javësh uria në rritje.
“Pas gati 80 ditësh të një bllokade totale, komunitetet po vdesin nga uria dhe ata nuk janë më të gatshëm të shikojnë ushqimin që kalon pranë tyre,” tha WFP në një deklaratë.