
Kreu i PD-së Berisha denoncoi përfshirjen e krimit të organizuar në atë që e quajti “farsa e 11 majit”.
Gjatë një konferencë për shtyp në selinë blu, kryedemokrati theksoi se bandat e kriminelëve në mbarë vendin kërcënuan qytetarët dhe morën pjesë aktivisht në procesin e manipulimit të votës.
Berisha tha gjithashtu se Edi Ramës nuk i vjen asnjë urim pavarësisht kërkesave të shumta që ka bërë dhe se farsa do i ngecë në fyt.
“Tani, këto janë dëshmitë e botës së nëndheshme të zyrtarëve që në shkelje të të gjitha ligjeve dhe parimeve të zgjedhjeve, vepruan në mbarë Tiranën. Por Tirana, për avoketërit e farsës, që përpiqen ta paraqesin si zonë pa krim, u dominua nga banda më të fuqishme. Në Tiranë operative ishin banda e Xhabaftëve, e dokumentuar dhe e paraqitur para jush këtu me të gjithë veprimtarinë terroriste elektorale. ‘Hakmarrja për drejtësi’ është një bandë me degën e saj të fuqishme në Tiranë, pavarësisht se tani për tani, qendrën e kanë në Lushnje dhe kanë zëvendësuar bandën e Aldo Bares. Por në Tiranë janë eksponentë kryesorë të saj, ndër të cilët Dabullët dhe të tjerë. Segmente të bandës së Shullazit, Serjani dhe banditë të tjerë, janë marrë ditë e natë me kërcënimin e votuesve dhe blerjen e votave.
Pra, Tirana ishte e ngërthyer në një darë krimi, në të katër anët e saj, nga seria killerë, trafikantë, organizata. Kjo është e vërteta. Çfarëdo që të bëjë Edi Rama, çfarëdo përpjekje, me asgjë nuk mund të fshehë farsën e shëmtuar elektorale të 11 Majit 2025. Flluskat dhe qeskat e tymit që shpërndan, një ditë me një pretendim, një ditë me një pretendim tjetër, faktojnë dështimin e tij të plotë në maskimin e farsës elektorale. Ka shpërndarë kërkesa të panumërta që të marrë urime, por urimet nuk po i vijnë.
Telefonata të shumta, po statuse nuk postohen. Urime nuk i vijnë. I kanë ngecur në fyt zgjedhjet dhe do i ngecin edhe më keq. PD deklaron se nuk njeh kurrë këtë farsë elektorale. Se ajo do i faktojë çdo shqiptari dhe komunitetit ndërkombëtar se çfarë përfaqëson në realitet farsa elektorale e 11 Majit 2025.
Farsa më e shëmtuar e zhvilluar që nga rënia e Perdes së Hekurt gjer sot në Europë.” – tha Berisha.