
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ka drejtuar një letër Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke e akuzuar për ndërhyrje të papranueshme në procesin zgjedhor përmes angazhimit të Këshilltarit të tij Ligjor, Ilirjan Rusmali, si anëtar i Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) pranë KQZ-së.
Bardhi thekson se përfshirja e Kabinetit të Presidentit në administrimin e zgjedhjeve është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kushtetutën, duke shkelur parimin e neutralitetit dhe përfaqësimit të unitetit të popullit që Presidenti duhet të garantojë.
Sipas tij, ky angazhim e bën Institucionin e Presidentit palë në “certifikimin e një farse zgjedhore”, duke i referuar edhe raportit paraprak të OSBE-ODIHR, ku thuhet se ka pasur shkrirje të shtetit me partinë në pushtet.
Në letrën e tij, Bardhi i kërkon Presidentit Begaj të sqarojë nëse ka autorizuar përfshirjen e këshilltarit të tij në procesin zgjedhor, si dhe të distancohet menjëherë nga çdo lloj angazhimi i Kabinetit të tij në administrimin e zgjedhjeve. Ai e paralajmëron se një veprim i tillë përbën “atentat ndaj demokracisë dhe vetë Kushtetutës”.

