
Hamasi tha të premten në mbrëmje se është ende duke diskutuar mbi propozimin e fundit të marrëveshjes së pengjeve të ndërmjetësuar nga i dërguari i SHBA-së Steve Witkoff, duke sinjalizuar se grupi ende nuk e ka hedhur poshtë planin, edhe pse zyrtarë të lartë të Hamasit vijojnë të shprehin rezerva për shkak të mungesës së një garancie për t’i dhënë fund luftës.
Në një deklaratë zyrtare, Hamasi tha se “po këshillohet me fraksionet dhe forcat palestineze në lidhje me propozimin e armëpushimit të marrë së fundmi nëpërmjet ndërmjetësuesve nga Ëitkoff”.
Të enjten, zyrtari i lartë i Hamasit, Basem Naim i tha AFP se “propozimi nuk i plotëson kërkesat e popullit tonë”, por shtoi se organizata po vijonte ta shqyrtonte atë. Burimet i thanë kanalit Al-Rad të Egjiptit se Hamasi pritet të përgjigjet pozitivisht, megjithëse me disa rezerva. Sipas Al-Hadath, kreu i delegacionit të Hamasit, Khalil al-Hayya u takua me ndërmjetësit dhe pritet të japë një përgjigje “po, por”.
Ndërkohë, BBC raportoi të premten se një figurë e lartë e Hamasit tha se grupi do e hidhte poshtë propozimin, duke përmendur kërkesat e paplotësuara, si fundi zyrtar i luftës. Burimi shtoi se Hamasi “do përgjigjet në kohën e duhur”.
Plani, i pranuar shpejt nga Izraeli pasi u prezantua të enjten vonë, përfshin një armëpushim fillestar 60-ditor. Gjatë asaj kohe, 10 pengje të gjalla dhe 18 trupa do liroheshin në dy faza gjatë një jave. Nga 58 pengjet që besohet se mbeten në Gaza, zyrtarët izraelitë thonë se 20 janë konfirmuar të gjallë dhe deri në 38 supozohet se kanë vdekur.
Sipas kornizës, negociatat për përfundimin e luftës do zhvilloheshin gjatë armëpushimit. Nëse arrihet një marrëveshje për kushtet e përfundimit të luftës, të gjitha pengjet e mbetur, të gjallë dhe të vdekur, do lirohen. Nëse jo, Izraeli do ishte në gjendje të rifillonte operacionet ushtarake. Një skenar alternativ do shihte një zgjatje të armëpushimit në këmbim të lirimit të më shumë pengjeve.
Si pjesë e propozimit, Izraeli do lirojë 125 të burgosur që vuajnë dënimin e përjetshëm dhe 1,111 të burgosur palestinezë të arrestuar pas 7 tetorit. Gjithashtu do kthejë 180 trupa të militantëve palestinezë në dy faza. Në ditën e dhjetë të armëpushimit, Hamasi do dorëzonte një listë të plotë dhe raporte të hollësishme mjekësore për të gjithë pengjet e gjalla.
Një zyrtar i lartë izraelit theksoi se Izraeli nuk do lirojë kreun e Fatahut, Marëan Barghouti, nën asnjë marrëveshje.
Raportet e mëparshme pretendonin se propozimi përfshinte një zhvendosje në shpërndarjen e ndihmave humanitare të udhëhequr nga OKB-ja dhe një tërheqje ushtarake izraelite në linjat para operacionit “Might and Swëord”. Ndërsa Izraeli do ruante kontrollin mbi Korridorin e Filadelfit, raportohet se do tërhiqej nga Boshti Morag, i quajtur “Philadelphi 2” nga kryeministri Benjamin Netanyahu.
Megjithatë, një zyrtar i lartë izraelit i mohoi këto raporte, duke deklaruar se propozimi i Witkoff nuk përfshin linja fikse për dislokimin e trupave ose një mekanizëm përfundimtar të shpërndarjes së ndihmës. Netanyahu i bëri jehonë kësaj në një takim të mbyllur të sigurisë të enjten, duke deklaruar se Izraeli do këmbëngulë në ruajtjen e sistemit të ri të shpërndarjes së ndihmës edhe nëse arrihet një marrëveshje.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Ynet
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani