Vendosni fjalën kyçe....

Noka: Mbështetësit tanë futën GPS në zarfe – Votat e diasporës s’kanë ardhur fare në Shqipëri


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka hedhur akuza të rënda për manipulim të votës nga diaspora në zgjedhjet e fundit, duke pretenduar se votat nuk kanë mbërritur kurrë në Shqipëri.

I ftuar në emisionin Log. në News24, Noka deklaroi se disa mbështetës të PD-së në Angli dhe Greqi kanë futur pajisje GPS në zarfet me votat e tyre, për të gjurmuar lëvizjen e tyre. Sipas tij, këto pajisje tregojnë se zarfet ndodhen ende jashtë vendit.

“Konfirmoj që gjithë votat e mbështetësve tanë në Britani sot e kësaj dite janë në Londër. Asnjë zarf nuk ka ardhur në Shqipëri, por Taulanti i ka numëruar ato vota këtu,” – u shpreh Noka, duke iu referuar ministrit Taulant Balla.

Ai përmendi një situatë të ngjashme edhe në Greqi:

“Në Selanik kemi mbi 500 votues që kanë vendosur GPS brenda zarfeve dhe të gjitha rezultojnë ende atje. Asnjë prej tyre nuk ka mbërritur në Shqipëri,” – theksoi ai.

Sipas Nokës, rezultatet e votave të diasporës janë tërësisht të manipuluara. Ai përmendi një rast konkret nga qarku i Beratit:

“Në një grup zarfesh të ardhura për Beratin, për diasporën, rezultoi që 99% e votave ishin për Partinë Socialiste. As në kohën e Enver Hoxhës nuk ndodhte kjo,” – u shpreh Noka me tone të ashpra.

Deklarata e tij ka ngritur pikëpyetje të forta mbi procesin e administrimit të votës nga diaspora dhe ka shtuar tensionin politik mbi besueshmërinë e zgjedhjeve.