Vendosni fjalën kyçe....

Defender Europe 2025 / Vjosa Osmani takon Forcat e Sigurisë së Kosovës: Jemi krah për krah me SHBA dhe aleatët e NATO-s


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në cilësinë e Komandantes Supreme të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka vizituar sot ushtrimin ushtarak Defender Europe 2025, i cili po zhvillohet në territorin e Kosovës.

Gjatë vizitës, Osmani theksoi rëndësinë e këtij angazhimi si një kapitull i ri në bashkëpunimin ushtarak ndërkombëtar, duke theksuar se Kosova po qëndron krah për krah me forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të tjerë të NATO-s.

Sot, në cilësinë e Komandantes Supreme të Forcës së Sigurisë së Kosovës, vizitova Defender Europe ’25 – ushtrimin më të madh të këtij viti të US Army Europe, ku Kosova jo vetëm që merr pjesë, por ka edhe nderin të jetë nikoqire. Krah për krah me forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tjerë të NATO-s, vendi ynë po shkruan një kapitull të ri të bashkëpunimit ushtarak ndërkombëtar,” shkroi Osmani.

Ajo shtoi se vetëm dy ditë më parë në SHBA kishte diskutuar për vizionin e përbashkët për mbrojtjen e Evropës, dhe tani ky vizion po vihet në zbatim në terren, në tokën e Kosovës, përmes një ushtrimi të përmasave të jashtëzakonshme që, sipas saj, dëshmon përkushtimin ndaj paqes dhe sigurisë.

Rreth 1000 pjesëtarë të FSK-së janë të angazhuar drejtpërdrejt – profesionistë të barabartë me aleatët nga vendet më të fuqishme të botës. Ky është një mesazh i qartë: Kosova jo vetëm që kontribuon, por është e gatshme të jetë pjesë e NATO-s,” përfundoi Osmani.