Vendosni fjalën kyçe....

Bizneset protestojnë kundër liberalizimit të tregut të energjisë, teksa Kurti kritikon Odën Ekonomike


Derisa përfaqësues të bizneseve kanë filluar t’i bllokojnë hyrjet në kryeqytet në shenjë proteste për liberalizimin e tregut të energjisë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka kritikuar Odën Ekonomike të vendit duke thënë se ajo “nuk ka bërë asgjë” për t’i përgatitur ato për këtë proces.

Vendimi i rregullatorit të energjisë për liberalizimin e tregut të energjisë do të hyjë në fuqi më 1 qershor.

Vendimi përfshin kompanitë me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro. Në Kosovë janë të regjistruara mbi 1.000 kompani të tilla që konsumojnë rreth 37% të energjisë së përgjithshme të shpenzuar.

Përfaqësuesit e bizneseve thonë se janë kundër liberalizimit të tregut të energjisë, pasi nuk janë bërë përgatitjet e nevojshme për këtë ndryshim. Ata kërkojnë që ky vendim të shtyhet për një vit.

Mëngjesin e së enjtes, ata filluan t’i bllokojnë hyrjet në Prishtinë në Veternik, te rrethi i flamurit, te qendra Dukagjini në rrugën drejt Fushë-Kosovës, në rrugën drejt Mitrovicës, si dhe në rrugën nga Podujeva, te Sharbani (Vranjevci).

Vendimi nënkupton se të gjitha bizneset e mëdha nuk do të furnizohen më me energji përmes tarifave të rregulluara, por duhet të gjejnë vetë furnizuesin e tyre në tregun e lirë. Nëse nuk arrijnë ta bëjnë këtë, ato kalojnë automatikisht në treg të hapur me çmime të parregulluara.

Radio Evropa e Lirë ka biseduar me disa biznese që ende nuk kanë lidhur kontrata, për shkak të çmimeve të larta të ofruara nga furnizuesit dhe pritjes për shtyrjen e afatit.

Duke folur në një mbledhje të Qeverisë në detyrë, Kurti tha se shtyrja e zbatimit të liberalizimit të tregut “nuk i zgjidh” problemet e bizneseve.

“Oda Ekonomike e Kosovës, që do të duhej të qëndronte pranë bizneseve për t’u përballur me realitetin e ri, sot po tenton t’i bllokojë rrugët vetëm me një kërkesë; shtyrjen e zbatimit të liberalizimit të tregut. Shtyrjen po e kërkojnë me arsyetimin se do të përgatiten për një vit, duke injoruar faktin se nga ana e tyre nuk kanë bërë asnjë përgatitje për tetë vjetët e kaluara, përderisa shtyhej ky proces”, tha Kurti.

Kurti, duke iu drejtuar përfaqësuesve të bizneseve, tha se “ajo çfarë Oda Ekonomike e Kosovës nuk po u tregon se plotësimi i kërkesës së tyre nuk e zgjidh problemin, por veçse e bartin koston e energjisë të këtyre 1.200 ndërmarrjeve te faturat e secilit prej jush”.

“Për t’i mbrojtur 1 për qind të ndërmarrjeve më të fuqishme në kurriz të 99 përqindëshit dhe familjeve mbarë Kosovës, ata po duan të bëjnë barrikada në hyrjet e Prishtinës. Koha e barrikadave në Kosovë ka kaluar, ne i kemi hequr ato kudo”, shtoi ai.

Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë në vendet e Bashkimit Evropian ka filluar në fund të viteve ‘90 me qëllim rritjen e konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët. Ndërsa, në Ballkanin Perëndimor ky proces është ende në zhvillim e sipër.

Në Kosovë, liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2017, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme./REL