
Zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 u shoqëruan me një vëmendje të lartë institucionale në raport me krimet zgjedhore. Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), kishte ngritur një Task Forcë që prej janarit të po atij viti, në koordinim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorinë e Përgjithshme, për të hetuar dhe ndëshkuar shkeljet zgjedhore.
Në faqen zyrtare të SPAK u publikua një link i posaçëm për të denoncuar krimet elektorale, nën moton “Denonco krimin zgjedhor”. Përmes këtij portali, qytetarët, OJF-të, dhe subjektet juridike ose fizike patën mundësi të kallëzonin online rastet e dyshuara. SPAK publikoi gjithashtu një numër telefoni për denoncime direkte.
Një ditë para votimeve, prokurorët e SPAK, të shoqëruar nga agjentët e BKH-së, u shpërndanë në të 12 qarqet e vendit për të monitoruar nga afër terrenin dhe për të reaguar në kohë reale ndaj çdo parregullsie.
Partia Demokratike me date 02.04.2025 i dërgoi SPAK-ut një shkresë zyrtare, ku kërkonte informacion mbi ecurinë e hetimeve për krimet zgjedhore që nga janari deri në datën e përgjigjes. Në reagimin e vet, kreu i SPAK, Altin Dumani, konfirmoi se ishin regjistruar gjithsej 18 procedimepenale, nga të cilat 5 ishin nisur kryesisht nga prokuroria, ndërsa të tjerat ishin rezultat i kallëzimeve të qytetarëve ose subjekteve të ndryshme.

Në një tryezë teknike të organizuar më 10 prill nga OSBE dhe Prokuroria e Përgjithshme në Tiranë, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela theksoi rëndësinë e rolit të shoqërisë civile dhe të organeve të drejtësisë në hetimin e parregullsive zgjedhore, si dhe domosdoshmërinë për vlerësim të menjëhershëm tëçdo sinjalizimi.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, denoncoi se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka keqpërdorur mësuesit dhe nxënësit në Fier për aktivitete elektorale. Sipas Bardhit, mësuesit dhe nxënësit janë detyruar të ndërpresin mësimin dhe të marrin pjesë në panairin e punës, ku merrte pjesë Balluku. Ai kërkoi që SPAK të ndëshkojë krimet zgjedhore.

Përgjatë gjithë fushatës, e deri në ditët pas votimeve, u regjistruan disa veprime hetimore në disa qarqe të vendit. Më 23 prill, Prokuroria e Gjirokastrës regjistroi dy procedime penale,një për mungesën e vulës së ZAZ Dropull, dhe tjetri për një rast të dyshuar kanosjeje në rrjetet sociale ndaj një qytetari për qëndrimet e tij politike.
Në Shkodër, më 8 maj, vetëm tre ditë para votimeve, SPAK dhe Policia e Shtetit kryen operacionin “Premtimi”,ku u sekuestruan celularë, para, tollona karburanti dhe lista me emra qytetarësh.
Kontrolli përfshiu gjashtë persona dhe nëntë automjete. Tre ditë më vonë,më 11 maj, SPAK dhe BKH ndërmorën një tjetër aksion në Shkodër ku u shoqëruan persona të dyshuar si mbështetës të Pratisë Socialdemokrate (PSD). Megjithatë, PSD reagoi duke mohuar përfshirjen e anëtarëve të saj dhe i cilësoi raportimet si dizinformim të qëllimshëm.


Më 24 prill 2025, kryesuesi i listës së demokratëve në qarkun e Dibrës, deputeti Xhelal Mziu, u dyshua për përfshirje në një incident elektoral në fshatin Ostren të Bulqizës. Policia raportoi se pas një takimi elektoral, Mziu dhe nipi i tij dyshohet se goditën me grushte zyrtarin e bashkisë Bulqizë, Kalosh Murra, i cili ndodhej para zyrave të njësisë administrative Ostren.
Deputeti demokrat, Xhelal Mziu, reagoi pas njoftimit të policisë së Bulqizë. Mziu akuzoi Partinë Socialiste dhe strukturat e saj për inimidimin e qytetarëve dhe përpjekjet për të penguar pjesëmarrjen në takimet elektorale të PD-së. Ai pohoi se policia manipuloingjarjen dhe se një incident i dhunës, i ndodhur në fshatin Ostren, ishte inskenuar nga përfaqësues të PS dhe mbështetës të saj.

Policia e Bulqizës dërgoi materialet hetimore në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) lidhur me incidentin e ndodhur më 24 prill, ku deputeti demokrat Xhelal Mziu dyshohej se bashkë me nipin e tij kishin dhunuar zyrtarin e bashkisë, Kalosh Murra, gjatë një aktiviteti elektoral. Përveç materialeve policore, në SPAK mbërriti edhe një kallëzim i vetë Xhelal Mziu, i cili pretendoi se ishte ai personi i dëmtuar në këtë ngjarje, si dhe një padi e një qytetari tjetër që akuzoi deputetin dhe njerëzit e tij për dhunë gjatë incidentit, pas takimit elektoral të PD-së në fshatin Ostren. Hetimet vijonin.
SPAK, BKH dhe Policia e Shkodrës kryen kontrolle dhe veprime hetimore në Qarkun e Shkodrës, konkretisht në Malësi të Madhe, Barbullush, Bushat dhe Mjedë, në kuadër të parandalimit të krimeve zgjedhore.
Pas Shkodrës, drejtori i SPAK, Altin Dumani, zbarkoi në Lezhë, një zonë me tensione të larta zgjedhore. Në këtë qark, kandidati i Sali Berishës, Gjin Gjoni, njoftoi ngritjen e një strukture për mbrojtjen e votës, ndërsa nënkryetari i bashkisë së Lezhës, Fatjon Zefi, publikoi një video ku Gjoni i bllokonte makinën.
Në Lezhë, ku klima zgjedhore ishte veçanërisht e tensionuar, pati përplasje dhe akuza për blerje votash mes PS-së dhe Koalicionit Euroatlantik. Në Dajç u raportua një rast ku automjeti i babait të një kandidateje të PS u ndoq dhe u kërcënua nga mbështetës të PD-së.
Në Kukës, më 10 maj, dy kushërinj, Gazmend dhe Kalosh Peposhi, u shpallën në kërkim për korrupsion aktiv në zgjedhje, në favor të PSD-së. Hetimet për përfshirjen e PSD në blerje votash u përqendruan edhe në Vau të Dejës, ku kryetari socialist i bashkisë, Kristian Shkreli, u hetua dhe iu sekuestrua telefoni.

Më 17 maj 2025, Prokuroria e Posaçme (SPAK) urdhëroi sekuestrimin e telefonit të ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, i dyshuar për krime zgjedhore. Operacioni u zhvillua në qytetin e Kavajës dhe u shoqërua me kontrolle të tjera në disa ambiente dhe ndaj personave të tjerë, përfshirë disa të afërm të Rroshit, të cilëve gjithashtu iu sekuestruan aparate celularë.
Në total, u sekuestruan tre telefona që mendohej të kishin rëndësi për hetimet. Veprimet procedurale u kryen nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) me mbështetjen e Policisë së Shtetit, ndërsa çështja u ndoq nga prokurori i posaçëm Edvin Kondilli.
Operacionet e SPAK vijuan pas zgjedhjeve. Më 18 maj, në Belsh dhe Elbasan, u kryen kontrolle dhe sekuestrime celularësh. Më 20 maj, me vendim të GJKKO-së, u kontrollua Bashkia Klos dhe disa zyrtarë u shoqëruan.
Më 22 maj 2025, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, bëri një deklaratë të fortë publike, duke pretenduar se kishte prova të manipulimit të zgjedhjeve parlamentare në zonën e Elbasanit.
Gjatë një konference për shtyp, Berisha deklaroi se deputeti i zgjedhur në këtë qark, Blendi Himçi, kishte zbuluar materiale zgjedhore të fshehura në ambientet e një bar-kafeje në fshatin Pekisht. Sipas tij, zbulimi u bë pas një sinjalizimi të marrë mbrëmjen e mëparshme, çka çoi Himçin në lokalin e Dervish Beqirit – kryeplak i fshatit dhe njëkohësisht vëzhgues i Partisë Socialiste.
Në këtë ambient, sipas deklaratës së Berishës, u gjetën fletë votimi, lista zgjedhore, karta identiteti si dhe shuma të mëdha parash të cilat ai i cilësoi si “narkoeuro”.
Ndërkaq më 26 maj, Blendi Himçi akuzoi Policinë e Shtetit për manipulim provash dhe fshehje faktesh. Ai e quajti të gjithë çështjen një farsë elektorale dhe deklaroi se policia po përpiqej të minimizonte ngjarjen duke e trajtuar si falsifikim materialesh, ndërkohë që sipas tij bëhej fjalë për një veprimtari të organizuar kriminale për blerje votash dhe shtrëngim të votuesve. Himçi theksoi se policia kishte fshehur kartat e identitetit, devijuar informacionin mbi shumën e parave të sekuestruara dhe shmangur sekuestrimin e pamjeve filmike të lokalit, që sipas tij do të provonin përfshirjen direkte të patronazhistit socialist dhe të tjerë personave në veprimet e paligjshme.
Më 26 maj, në Pukë, u ndalua nënkryetari demokrat i bashkisë, Ndue Suma, i dyshuar për premtime elektorale në këmbim të votave.
Ndërkohë, më 27 maj, në Elbasan, prokurorja Dorina Bejko urdhëroi kontrolle ndaj katër personave të dyshuar për korrupsion zgjedhor në favor të PS-së. Në një banesë në Belsh u sekuestruan rreth 200 mijë euro.
Përgatiti për Hashtag.al, Aurora Hoxha



