
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka paralajmëruar se Rusia ka grumbulluar rreth 50 mijë trupa në rajonin e Sumyt, në prag të një ofensive të gjerë ushtarake.
Ai po qëndron në Berlin për një takim urgjent me kancelarin e ri gjerman, Friedrich Merz, ku priten njoftime të reja për ndihmë ndaj Ukrainës dhe përpjekje për një armëpushim në luftën që ka hyrë në vitin e tretë.
Zelenskyy deklaroi se “forcat më të mëdha dhe më të forta të Rusisë ndodhen aktualisht në frontin e Kurskut, me qëllim që të dëbojnë trupat ukrainase dhe të përgatiten për ofensivën në Sumy”.
Ai theksoi se Kievi ka marrë masa për të penguar sulme në këtë zonë, e cila kufizohet me rajonin rus të Kurskut – aty ku trupat ukrainase vitin e kaluar ndërmorën një sulm të papritur, duke përdorur dronë dhe armë perëndimore, përcjell The Guardian.
Vizita e Zelenskyyt në Berlin vjen mes pritshmërive se kancelari Merz do të shpallë një paketë të re ndihme ushtarake dhe financiare për Ukrainën. Merz, i cili mori detyrën muajin e kaluar, priti presidentin ukrainas me nderime ushtarake në ndërtesën e kancelarisë gjermane.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefan Kornelius, tha se takimi do të fokusohet në mbështetjen afatgjatë ndaj Ukrainës dhe përpjekjet për të arritur një armëpushim. Gjermania është një nga mbështetëset kryesore të Kievit, dhe Merz ka premtuar se do të vijojë këtë kurs.
Spekulimet janë shtuar se Merz mund të shpallë furnizimin me armë me rreze të gjatë, përfshirë raketat Taurus. Ai deklaroi të hënën se nuk ka më kufizime për rrezet e armëve që Gjermania mund të dërgojë në Ukrainë – një qëndrim që më pas u sqarua nga qeveria, duke thënë se këto kufizime ishin hequr më parë.
Merz pritet t’i ofrojë Zelenskyyt një paketë ndihme me vlerë miliarda euro, që përfshin sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore, më shumë armë dhe ndihmë financiare për blerjen e pajisjeve ushtarake amerikane.
Ende nuk është e qartë nëse kjo ndihmë do t’i shtohet 3 miliardë eurove të miratuara nga qeveria e mëparshme në mars.
Ndihma mund të përfshijë gjithashtu edhe transferimin e teknologjisë për prodhimin e raketave dhe armëve të tjera me rreze të gjatë në vetë territorin ukrainas – duke i mundësuar Kievit të vetëmbrohet pa u bazuar vetëm në dërgesa të huaja, dhe duke zbutur shqetësimet e opinionit gjerman për përfshirje të drejtpërdrejtë në konflikt.
Ndërkohë, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, kritikoi planet e Merzit për ndërtimin e një ushtrie të fuqishme evropiane, duke e cilësuar si “shqetësuese” dhe duke e krahasuar me “periudhat e shekullit të kaluar kur Gjermania u bë dy herë fuqi ushtarake dominuese dhe solli fatkeqësi të mëdha”.
Zelenskyy dhe Merz do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp në orën 13:30 me orën lokale, përpara se të takohen me drejtues të biznesit gjerman për të diskutuar planet për rindërtimin e Ukrainës.
Në terren, Zelenskyy tha se forcat ukrainase kanë rimarrë rreth 4 kilometra territor gjatë dy ditëve të fundit, ndërsa Rusia ka avancuar në Donetsk dhe ka pushtuar katër fshatra kufitare.
Sipas mediave ruse, Ukraina ka sulmuar gjatë natës dy fabrika dronësh – një në veri-perëndim të Moskës dhe një në Dubno, rreth 80 kilometra në veri të kryeqytetit.
Autoritetet ruse thanë se kanë ndërprerë përkohësisht fluturimet në disa aeroporte për shkak të sulmeve dhe se kanë rrëzuar 296 dronë ukrainas, por këto të dhëna nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Në Ukrainë, tetë persona u plagosën pas një sulmi me pesë raketa balistike në rajonin e Kharkivit, sipas autoriteteve lokale.