Vendosni fjalën kyçe....

“Nga 200 anëtarë folën vetëm 7, vemjet heshtën si përherë. Koalicionet dështim” – Murrizi nxjer videon e përplasjes me Nokën


Anëtari  Këshillit Kombëtar të PD-së Myslim Murrizi, i cili garoi në listë të hapur në qarkun e Tiranës ka publikuar fjalën e tij në mbledhjen e 25 shkurtit 2025, rreth dy muaj para zgjedhjeve.

Murrizi shkruan se në mbledhjen ku morën pjesë 200 anëtarë, folën vetëm 7 prej tyre. Ish-deputeti ironizon të pranishmit se me heshtjen si vemje shpresuan të fitonin një vend të sigurt në listën për zgjedhje e 11 majit.

Murrizi kritikon edhe koalicionet e PD-së me Partin e Lirisë dhe PDIU-në që kanë marrë shumë pak vota ndërkohë që kanë disa deputetë.

Reagimi i Murrizit

“FJALA IME NË KËSHILLIN KOMBËTAR, DATË 12 SHKURT 2025

Në këtë mbledhje me mbi 200 anëtarë të pranishëm, folën vetëm 7 anëtarë dhe votuan në të njëjtën linjë logjike të fjalës time vetëm 13 anëtarë të Këshillit Kombëtar.

Të tjerët heshtën si vemje, me bindjen që nga kjo heshtje e pështirë e ky servilizëm bajat permanent prej palaçoje do t’u siguronte një vend të sigurt në listat e qelbura për një karrige të pistë në Parlament.

Prandaj, sot a ka mundësi të heshtni ju, kërminj politikë, që kurrë nuk flisni veç belbëzoni nën zë me shkumë nëpër gojë si qentë që mbyten nga kockat!

Të gjithë drejtuesit e qarqeve, madje në disa edhe 2 për qark, nuk u futën në primare.

Në qarkun Tiranë, plot 6 të listës së mbyllur nuk guxuan të votohen nga anëtarësia.

Madje, për disa hipokritë u shkel dhe standardi i dorëheqjes nga qenia kryetar dege dhe nuk u futën as në primare.

Për fat të keq, koalicionet ishin një dështim total dhe, siç e pata deklaruar, ashtu rezultoi që partia e Metës mori 7800 vota e ka sot 4-5 deputetë, dhe Shpëtim Idrizi me 1900 vota ka 1 deputet.

Trim pas beteje dhe të mençur pas kuvendi mund të jenë vetëm spurdhjakët.

Kam qysh në shkurt 2019 që ulëras për dëmet që i ka shkaktuar PD-së heshtja dhe servilizmi i një grushti të pështirë hileqarësh.

Nuk po hyj në asnjë detaj tjetër të analizës së gjendjes së strukturave dhe fushatës dizastër të promovimit nëpër tribuna të individëve që sa herë flisnin, minimumi i hiqnin PD-së 2000-4000 vota.

Është hera e parë që po e postoj këtë video në FB tim, edhe pse më herët e kanë postuar disa media apo portale.

JU FTOJ JU, ANËTARË TË KËSHILLIT KOMBËTAR, QË HESHTNI PREJ PRILLIT 2022 E QË HESHTËT EDHE ATË DITË, E QË FLISNIT PËR PARIME E FITORE IMAGJINARE, TË PAKTËN MOS NA HAPNI BARKUN ME JARGAVITJE FB!”