
Nga Habjon Hasani
Reagimi i Ambasadës Amerikane në Instagram (Kardashian style) po shërben si letër lakmusi për të zbuluar vasalitetin patologjik të opozitës dhe rilindjes pas zgjedhjeve.
Lexoni mediat dhe komentatorët e opozitës: bëjnë çarçafë me shpjegime pse ky reagim i ambasadës ishte qëndrim i ftohtë dhe me nëntekst ndëshkues ndaj Ramës.
Pastaj lexoni mediat dhe komentatorët e pushtetit: ata duken sikur janë të gëzuar që më në fund ambasada reagoi, dhe që në atë tekstin me dy fjali të thata, të paktën nuk përmendej “Poja” dhe krudot.
Të dyja janë qëndrime vasalesh: një palë vasale që do të paketojë sikletin e humbjes drastike; pala tjetër, vasale fituese që duan të paketojnë sikletet e një procesi me probleme.
Unë kam një tjetër shpjegim. Mendoj që është gjuha e drunjtë dhe mediokre e burokratëve të State Department-it, dhe jo ndonjë sinjal politik i mirëfilltë nga kupola në Washington.
Duke qenë se heshtja gati dyjavore e ambasadës filloi të interpretohej si hezitim dhe sikur ata kishin rezerva për fitoren e Ramës, atëherë ambasada ndjeu nevojën të thyejë heshtjen.
Këtu fillon problemi i tyre.
Nëse e thyen heshtjen, duhet me thënë diçka. Por për të thënë diçka, duhet të jesh korrekt atje lart me shefat e rinj.
Mirëpo shefat atje matanë nuk kanë as terezi, as ndonjë mendim të prerë për momentin për zgjedhjet që u zhvilluan në këtë fshat të humbur.
Plus që janë tipa të paparashikueshëm, shefat e kësaj administrate të re.
Të hënën vendosin 7% tarifa ndaj Kinës; të mërkurën i zbusin çikë; të premten i bëjnë 700% tarifat.
Burokratët aty poshtë nuk janë mësuar me këto oshilacione; ata kanë dekada që punojnë me plane afatgjata dhe projekte të qarta. Mirëpo administrata e re, puna e parë që bëri ishte mbyllja e këtyre projekteve dhe programeve (kryesisht USAID), ndaj dhe burokratët e nivelit rajonal s’dinë nga t’ia mbajnë, sepse e dinë shumë mirë sa të paparashikueshëm janë shefat andej lart.
Ama lypet një reagim, sepse dikush po keqpërdor heshtjen e tyre.
Ndaj e vetmja zgjidhje është reagimi steril, të cilin ti e interpreton si të duash: as mish, as peshk. E interpreton dhe si kritikë të heshtur ndaj Ramës, por e interpreton dhe si shkëputje nga mbështetja për opozitën dhe akt njohjeje të procesit.
Pra, bëhet fjalë për dy fjali banale, pa asnjë sens dhe strukturë mendimi politik. Është thjesht një pusullë Instagrami që u shërben burokratëve rajonalë të bëjnë qokën dhe të heqin hallin që i ka zënë me torollakët në Tiranë dhe “sherifët” në Washington.
Kaq është.
Pjesa tjetër vijon njësoj: Rama është identifikuar në Washington si person i strukturuar në rrjetin Soros, e më gjerë. Janë të qartë se është i zhdërvjelltë dhe ja kanë skeduar lobistët e tij, të cilët kanë filluar të japin llogari.
Por sado skeptikë të jenë me Ramën në Washington, ata respektojnë sistemin; se veprojnë me sistem ata, jo me liri-demokraci. Fakti që fitorja e Ramës ishte kaq drastike – madje e ngjashme me fitoren e trumpistëve në 2024 – i vë në mendime dhe i bën të kuptojnë se ka diçka që duhet ndryshuar tek opozita.
Nga ana tjetër, e dinë shumë mirë që kjo opozitë ka valenca deri diku të pëlqyeshme ideologjikisht për ta, por ideologjia nuk mjafton: është sistemi garanti.
Dhe sistemi i tyre e ka çuar në pension George Bush-in Senior që në vitin 1993 – se atë kishin President kur hyri Berisha në politikë.
Ndaj, kur e shohin Berishën në 2025 që vazhdon akoma në krye, kjo për ta është totalisht veprimtari anti-sistem në konceptin e tyre dhe nuk e pranojnë dot.
Ndaj s’ka nevojë për spërdredhje: nëse Ramën e përjashton ideologjia e tyre, Berishën e përjashton sistemi i tyre.
Rama ka sërish një shans më shumë se Berisha.
