Vendosni fjalën kyçe....

Homazhet për Artan Lamen, miq e kolegë i japin lamtumirën


Artan Lame, një nga figurat më të njohura të jetës publike dhe intelektuale shqiptare, është ndarë nga jeta disa ditë më parë pas një ndërhyrjeje në zemër. Lame vuante prej kohësh nga probleme kardiake. Sot, pranë Akademisë së Shkencave, po zhvillohen homazhe për nder të tij, ku miq, kolegë dhe personalitete të shumta i japin lamtumirën e fundit.

Ndër ta, historiani Auron Tare e kujtoi Lamen si një njeri të rrallë, me një kontribut unik për shoqërinë dhe trashëgiminë kulturore. 

Ai e cilësoi Lamen si një nga koleksionistët më të mëdhenj në Ballkan dhe unik në Europë për natyrën e veçantë të objekteve që kishte mbledhur ndër vite.

“Nuk është kollaj të flasësh në këtë ditë, por unë dhe miqtë e ngushtë tij kemi vendosur ta kujtojmë duke qeshur e duke treguar histori humori.

Mendoj se ishim me fat që Lamja ishte pjesë e jetës sonë private dhe publike. I kujtojmë me humor të gjitha betejat dhe debatet që ziheshim, pasi në fund sërish e merrnim në telefon njëri tjetrin.

Lamja është një personazh që rrallë i vjen një shoqërie.Është një koleksionistët më të mëdhenj në rajon dhe unikal në Europë në lidhje me atë që ka koleksionuar.Ai donte që koleksioni i tij t’i mbetet popullit shqiptar”, tha Tare.

Në ceremoninë e homazheve për ndarjen nga jeta të intelektualit të njohur Artan Lame, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, shprehu ngushëllime dhe vlerësime të thella për figurën e tij, duke e cilësuar si një nga zërat më të rëndësishëm të jetës publike dhe institucionale në vend.

Manja tha se Shqipëria dhe Tirana kanë humbur një njeri të ditur, një patriot të vërtetë dhe një qytetar që u vetëofrua gjithmonë për të përmirësuar realitetin shqiptar. 

 “Nga sot, Tiranës dhe Shqipërisë do i mungojë një njeri i ditur dhe patriot, që vetëofrohej për të bërë gjërat më mirë në Shqipëri. Ka humbur jeta publike, jeta institucionale, por edhe shoqëria civile ka humbur një njeri unik. Ai ishte një intelektual me dije të gjithanshme.                     

Ai dinte të mbronte kauzat e tij me pasionin që kishte. Ai ka mbrojtur çështjen e detit me Greqinë. Mbrojti këtë çështje si pak kush. U prehtë në paqe”, deklaroi Manja.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ishte ndër zyrtarët e lartë që mori pjesë në homazhet për ndarjen nga jeta të Artan Lames.

Në një deklaratë të ndjerë, ai vlerësoi Lamen si një figurë të pazëvendësueshme në mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore e historike të Shqipërisë.

Ai zbuloi se pak para kësaj humbjeje të parakohshme, kishte komunikuar me Lamen për projektin e muzeut të koleksionit të tij, një pasion dhe përpjekje që Lame kishte ndërtuar ndër vite me përkushtim dhe dashuri për vendin.

“Vendi ynë ka humbur një kujdestar të lartë dhe unik të trashëgimisë kulturore dhe historike.
Kam komunikuar me të përpara kësaj fatkeqësie dhe tragjedie për familjen e tij dhe rrethin, për muzeun e koleksionit për të cilën punonte me miqtë e tij të mirë. Jam tërësisht i dërrmuar.
Minimumi që të gjithë ne do btë bëjë është që të mbështesim muzeun në mënyrë që të nderojmë punën e tij”, tha ai.