
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, njoftoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Gjatë komunikimit, Zelenskyy e informoi Ramën mbi sulmet e fundit me raketa dhe dronë nga Rusia, duke theksuar se ato tregojnë qartë se Moska nuk ka asnjë synim për t’i dhënë fund luftës.
“Prandaj kemi nevojë për presion të mjaftueshëm për ta detyruar Rusinë të ndalojë agresionin. Llogarisim që hapat e nevojshëm në këtë drejtim të ndërmerren së shpejti”, shkroi Zelenskyy në një postim në platformën X.
Ai shtoi se biseduan gjithashtu për bashkëpunimin me partnerët evropianë dhe unitetin mes vendeve.
Zelensky tha se ka ftuar kryeministrin Rama të marrë pjesë në Samitin Ukrainë–Europa Juglindore, ku Shqipëria do të jetë e përfaqësuar.
Në fund të mesazhit të tij, presidenti ukrainas falënderoi Shqipërinë për mbështetjen ndaj Ukrainës dhe popullit të saj.
Postimi:
“E informova për sulmet e fundit ruse me raketa dhe dronë. Këto sulme tregojnë edhe një herë se Rusia nuk ka ndërmend t’i japë fund luftës. Kjo është arsyeja pse na duhet një presion mjaft i fortë për ta ndaluar më në fund. Ne mbështetemi në të gjitha hapat e nevojshëm në këtë drejtim që do të ndërmerren në të ardhmen e afërt. Gjithashtu diskutuam bashkëpunimin tonë me partnerët evropianë dhe unitetin tonë.
E ftova Kryeministrin të marrë pjesë në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore, dhe Shqipëria do të përfaqësohet. Faleminderit, Shqipëri, për mbështetjen e Ukrainës dhe popullit tonë”.