Vendosni fjalën kyçe....

Trump shtyn vendosjen e tarifave 50% me BE deri në korrik


Muajin e kaluar, ai njoftoi vendosjen e një tarife 20% ose taksë doganore për shumicën e mallrave të BE-së, por më vonë e uli këtë në 10%, për të dhënë kohë për negociata. Të premten, Trump shprehu pakënaqësi me ritmin e bisedimeve dhe kërcënoi se nga 1 qershori do të rriste tarifën në 50%.

Të dielën, përmes një postimi në rrjetet sociale, ai bëri të ditur se do ta shtynte afatin deri më 9 korrik, pas një telefonate me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Von der Leyen u pajtua me vlerësimin e Trump për bisedën dhe tha se BE-ja është “gati të përshpejtojë negociatat me vendosmëri”. Megjithatë, në një postim të sajin, ajo shtoi: “Për të arritur një marrëveshje të mirë, do të na duhet kohë deri më 9 korrik.”

Pranimi i kësaj date nga ana e Trump do të thotë se afati i ri është thuajse i njëjtë me atë të mëparshmin. Përpara se të kërcënonte me një tarifë prej 50%, Trump kishte vendosur si afat 8 korrikun për përfundimin e negociatave.

Presidenti amerikan e ka kritikuar prej kohësh marrëdhënien tregtare mes SHBA-së dhe BE-së, të cilën e sheh si të padrejtë, pavarësisht se BE-ja është një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të SHBA-së. Vitin e kaluar, BE-ja eksportoi në SHBA mallra me vlerë mbi 600 miliardë dollarë (528 miliardë euro), ndërsa importoi mallra amerikane me vlerë 370 miliardë dollarë, sipas të dhënave të qeverisë amerikane.

Trump ka mbrojtur programin e tij të tarifave duke argumentuar se ato do të nxisin prodhimin vendas dhe do të mbrojnë vendet e punës. Por shumë ekonomistë paralajmërojnë se këto tarifa mund të shkaktojnë rritje të çmimeve për konsumatorët amerikanë dhe të ndikojnë negativisht në ekonominë globale. Tarifat janë taksa që i vendosen mallrave të importuara dhe paguhen nga kompanitë që i sjellin ato në SHBA.

Në rastin e BE-së, Trump ka ngritur shqetësime të veçanta për tregtinë e makinave dhe produkteve bujqësore. Edhe pse disa tarifa janë pezulluar për të lejuar negociatat, një tarifë prej 25% mbi çelikun dhe aluminin evropian mbetet në fuqi.

Të premten pasdite, gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë vetëm pak orë para bisedimeve me përfaqësuesit e BE-së Trump deklaroi se planifikon të rrisë tarifat për të gjitha mallrat evropiane në 50% nga 1 qershori, duke shprehur padurim me ritmin e negociatave.

Më vonë atë ditë, komisioneri evropian për tregtinë, Maros Sefcovic, konfirmoi përkushtimin e BE-së për një marrëveshje të drejtë, pas bisedimeve me Përfaqësuesin e Tregtisë të SHBA-së, Jamieson Greer, dhe Sekretarin amerikan të Tregtisë, Howard Lutnick.

“BE-ja është plotësisht e përkushtuar për të arritur një marrëveshje që funksionon për të dyja palët,” tha ai. “Marrëdhëniet tregtare mes BE-së dhe SHBA-së janë të pakrahasueshme dhe duhet të ndërtohen mbi respekt të ndërsjellë, jo mbi kërcënime. Ne jemi të gatshëm të mbrojmë interesat tona.”

BE-ja ka kërcënuar gjithashtu me masa hakmarrëse ndaj SHBA-së. Më herët, kishte njoftuar për vendosjen e një tarife 25% mbi mallrat amerikane me vlerë 18 miliardë euro që hyjnë në Evropë, por ajo masë u pezullua. Aktualisht, BE-ja po shqyrton edhe masa shtesë për mallra të tjerë amerikanë me vlerë 95 miliardë euro.

Ndërkohë, udhëheqësit evropianë vazhdojnë të bëjnë thirrje për përmbajtje dhe zgjidhje diplomatike. Franca dhe Gjermania kanë paralajmëruar se përshkallëzimi i konfliktit do të dëmtonte rëndë të dyja ekonomitë./BBC