Vendosni fjalën kyçe....

Kremlini: Trump në “mbingarkesë emocionale” pas deklaratave për Putinin


Kremlini ka reaguar ndaj komenteve të presidentit amerikan Donald Trump, i cili e quajti Vladimir Putinin “plotësisht të çmendur”, pas sulmit më të madh ajror të Rusisë mbi Ukrainën që nga fillimi i pushtimit të plotë në vitin 2022.

Trump shkroi në rrjetin e tij social Truth Social të dielën se “diçka ka ndodhur me Putinin” pas sulmit rus që vrau 13 persona dhe përfshiu 367 dronë e raketa. “Ai është çmendur plotësisht”, tha Trump. “Po vret njerëz pa asnjë arsye.”

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e quajti këtë deklaratë si rezultat të një “mbingarkese emocionale të të gjithë atyre që janë të përfshirë”, përcjell BBC.

Sulmi më i madh ajror që nga 2022

Rusia kreu fundjavën e kaluar sulmin ajror më të madh të kombinuar që nga pushtimi i Ukrainës në shkurt 2022, me 367 raketa dhe dronë. Nga mbrëmja e së dielës deri të hënën në mëngjes, u lëshuan edhe 355 dronë të tjerë, ku mbetën të vrarë 10 persona. Forcat ajrore të Ukrainës e quajtën këtë sulmin më të madh me dronë deri më tani.

Sipas Peskovit, këto sulme ishin një reagim ndaj sulmeve ukrainase mbi infrastrukturën sociale në Rusi.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha gjithashtu se sistemet e mbrojtjes ajrore shkatërruan 20 dronë ukrainas në disa rajone të Rusisë.

Gjermania heq kufizimet e armatimit

Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se nuk ka më kufizime në distancë për armët që i jepen Ukrainës, duke lënë të kuptohet se mund të aprovojë furnizimin me raketat Taurus, të cilat kanë një rreze veprimi prej rreth 500 km, shumë më e madhe se armët e tjera të ofruara deri tani.

“Ukraina mund të mbrojë veten, për shembull, duke goditur pozicione ushtarake në Rusi. Deri tani nuk e ka bërë këtë, por tani mundet,” tha Merz.

Ndërkohë, Zelensky pritet të vizitojë Berlinin këtë të mërkurë, sipas Reuters, ndonëse kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Trump: “Putini do gjithë Ukrainën”

Duke folur nga Nju Xhersi të dielën mbrëma, Trump tha:

“E kam njohur Putinin prej kohësh, gjithmonë jam marrë mirë me të, por po lëshon raketa mbi qytete dhe po vret njerëz. Nuk më pëlqen aspak kjo.”

Trump shtoi se po konsideron të ashpërsojë sanksionet ndaj Rusisë, një kërcënim që ai e ka përsëritur disa herë.

Në një tjetër postim, Trump shkroi:

“Gjithmonë kam thënë se ai do gjithë Ukrainën, jo vetëm një pjesë. Dhe ndoshta kjo po del të jetë e vërtetë. Por nëse e bën, kjo do të sjellë fundin e Rusisë.”

Ai gjithashtu kritikoi presidentin ukrainas Zelensky, duke thënë se “Nuk po i bën ndonjë nder vendit të tij me mënyrën si flet. Çdo fjalë që nxjerr shkakton probleme, nuk më pëlqen dhe më mirë të ndalojë.”

Bisedime për armëpushim?

Peskov deklaroi se Rusia është mirënjohëse ndaj SHBA-ve dhe veçanërisht ndaj Trump për ndihmën në organizimin e një procesi negociatash për paqe.

Trump dhe Putin thuhet se kanë zhvilluar një telefonatë dyorëshe javën e kaluar, ku është diskutuar një propozim amerikan për armëpushim.

Trump deklaroi se biseda ishte “shumë e mirë” dhe se të dyja palët do të nisin “menjëherë” negociatat drejt një armëpushimi dhe përfundimit të luftës.

Ukraina ka pranuar publikisht një armëpushim 30-ditor, por Putin ka thënë vetëm se është i gatshëm të punojë për një “memorandum” për një “paqë të mundshme në të ardhmen”, gjë që Kievi dhe aleatët e tij e shohin si një taktikë zvarritjeje.

Aktualisht, Rusia kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas, përfshirë Krimenë, e aneksuar në vitin 2014.