
Ish-kryetari i Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia, është paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), ku po gjykohet si i pandehur për pengim të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore, pas kallëzimit të bërë nga ish-drejtori i Ujësjellësit të Shkodrës, Mark Molla.
Në seancën e radhës, gjykata pranoi kërkesën e palëve për thirrjen e disa dëshmitarëve, përfshirë edhe vetë kallëzuesin Molla. Në një prononcim për mediat Spahia e konsideroi këtë proces gjyqësor si të motivuar politikisht dhe të montuar për të dëmtuar jo vetëm atë personalisht, por edhe Partinë Demokratike në prag të zgjedhjeve të 11 majit.
“Ishte një seancë në vazhdim të çështjes për shkarkimin e ish drejtorit të ujësjellësit. U pranua kërkesa për të thirrur dhe dëgjuar dëshmitarët, 4 ose 5. Ishte një seancë rutinë, ku u miratua kërkesa për të thirrur dhe dëgjuar dëshmitarët. Për një çështje që nuk është çështje. Ka qenë një çështje e stisur politikisht që të dëmtohej jo vetëm Bardh Spahia por edhe PD në fillim të fushatës elektorale të zgjedhjeve të 11 majit.
Më mirë se askush tjetër, shkodranët kanë qenë kosheint dhe kanë dhënë përgjigjen e tyre përmes votës, që ka qenë sulm politik ndaj një personi që ka mbrojtur interesin publik dhe qytetar. Përgjigjen e kanë marrë me votë”, tha Spahia.