Vendosni fjalën kyçe....

Kreu i FEMA-s ishte në prag të shkarkimit para përplasjes publike me Trumpin – Reuters


Nga Nathan Layne dhe Ted Hesson | Reuters

Para se Cameron Hamilton të dëshmonte në Kongres më 7 maj si drejtues në detyrë i Agjencisë Federale për Menaxhimin e Emergjencave (FEMA), ai kishte pastruar tavolinën e tij, duke ditur se do të shkarkohej shumë shpejt.

Të njëjtën mëngjes, zyrtarë të Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), institucioni mëmë i FEMA-s, urdhëruan ekipin e sigurisë së agjencisë që t’i hiqej leja e hyrjes Hamiltonit dhe të shoqërohej jashtë ndërtesës, thanë për Reuters tre persona të njohur me ngjarjen.

Pati një përplasje nervoze mes zyrtarëve të DHS dhe atyre të FEMA-s, të cilët paralajmëruan se anulimi i dëshmisë së planifikuar të Hamiltonit në Kongres mund të përforconte perceptimin e paqëndrueshmërisë në agjencinë e emergjencave.

Në fund, DHS pranoi dhe Hamilton dëshmoi atë pasdite, ku kundërshtoi idenë e Presidentit Donald Trump për shpërbërjen e agjencisë, duke thënë se nuk e mbështeste këtë veprim.

Ai u shkarkua ditën tjetër – një akt që u interpretua gjerësisht si ndëshkim për dëshminë e tij. Shtëpia e Bardhë nuk e mohoi këtë perceptim në deklaratat e saj.

Por burime për Reuters thanë se bashkëpunëtorët e Trumpit donin ta shkarkonin Hamiltonin prej kohësh, për shkak të asaj që e konsideronin si mungesë veprimi për të “zhveshur” agjencinë nga funksionet e saj, ndonëse Hamilton shihej si mbrojtës i saj nga shumë punonjës të FEMA-s – paradoksalisht, duke qenë vetë një emërim i Trumpit.

“Cameron nuk u shkarkua për dëshminë e tij në Kongres. Ai e dinte këtë shumë më përpara,” tha për Reuters Matt Strickland, një mik i ngushtë i Hamiltonit.

Hamilton nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Një zëdhënës i DHS e cilësoi si “thashetheme të përtacisë” gjithë historinë dhe tha se Hamilton nuk ishte shkarkuar, por tani shërbente si këshilltar i lartë në Departamentin e Arsimit, duke punuar për çështje të sigurisë në shkolla dhe ndikimin e huaj në kampuset universitare.

 

Kriza në udhëheqjen e FEMA-s

Sipas Strickland, Hamilton pati përplasje me këshilltarin afatgjatë të Trumpit, Corey Lewandowski, një figurë kyçe në ekipin e Sekretares së Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem.

 Përplasjet përfshinë dhe kthimin e fondeve të dhëna për Nju Jorkun për të mbuluar kostot e strehimit të emigrantëve – fonde që më pas FEMA i tërhoqi.

Strickland tha se u shkarkua këtë muaj nga kontrata e tij me DHS pasi kishte postuar në rrjete sociale në mbrojtje të Hamiltonit. DHS reagoi në platformën X, duke thënë se ai mund të shkarkohej vetëm nga kontraktori që e kishte punësuar.

Lewandowski mohoi të ketë pasur ndonjë konflikt me Hamiltonin dhe i përshkroi si të pavërteta këto akuza.

“Cameron Hamilton zgjodhi vetë të pranonte një mundësi të re në Departamentin e Arsimit si këshilltar për sigurinë në shkolla,” tha ai në një mesazh tekst.

Kjo dramë e papublikuar më parë hedh dritë të re mbi rrethanat e shkarkimit të Hamiltonit, që ndodhi më pak se katër javë para fillimit zyrtar të sezonit të uraganeve më 1 qershor – një sezon që pritet të jetë mbi mesataren, sipas meteorologëve.

FEMA, agjencia që koordinon reagimin federal ndaj katastrofave natyrore, është përballur me një valë largimesh të stafit dhe rënie të moralit.

Javën e kaluar, disa drejtues të lartë u larguan në masë, duke ngritur dyshime të reja për gatishmërinë e saj për sezonin e ardhshëm të uraganeve.

Rasti i Hamiltonit pasqyron përkushtimin e Trumpit për të reformuar rrënjësisht FEMA-n dhe gatishmërinë e tij për të larguar edhe aleatët më të afërt nëse nuk ecin mjaftueshëm shpejt.

Ky veprim nuk është pa rrezik politik për Trumpin, pasi një reagim i dobët ndaj katastrofave natyrore mund të kthehet në vota kundër për Partinë Republikane.

Ekspertët kanë paralajmëruar se shkurtimi ose riorganizimi i FEMA-s mund të lërë shtetet dhe komunitetet lokale të ekspozuara përballë fatkeqësive natyrore.

Hamilton u zëvendësua nga David Richardson, një veteran i Marinsave pa eksperiencë në menaxhimin e emergjencave, i cili më parë shërbente si ndihmëssekretar për zyrën e DHS për kundërvënien ndaj armëve të shkatërrimit në masë.

Në fjalimin e tij të parë për stafin, Richardson premtoi të zbatojë planet e Trumpit dhe tha se do të “shkelte këdo” që i dilte përpara. Në një deklaratë pasuese, ai shtoi se agjencia ishte e përgatitur për sezonin e uraganeve.

 

Poligrafi dhe Lewandowski

Hamilton, një ish-Navy SEAL që kishte shërbyer në Departamentin e Shtetit gjatë mandatit të parë të Trumpit, u emërua në krye të FEMA-s me skepticizëm për misionin dhe stafin e saj, sipas tre burimeve.

Por, teksa vizitoi zyrat e FEMA-s dhe u njoh me punonjësit, ai filloi të besonte se, ndonëse kishte nevojë për reforma, agjencia luante një rol të rëndësishëm në përgjigjen ndaj katastrofave.

Në deklaratën e tij të parë për stafin në janar, ai shkroi: “Ju jeni ekspertët kryesorë në këtë punë jetike dhe unë jam këtu për të qenë një avokat për ju.”

Kjo qasje e tij e matur u përplas gjithnjë e më shumë me qëndrimet e Noem dhe Lewandowskit, të cilët, sipas dy burimeve, e akuzuan se ishte “shumë i butë” me stafin, ndonëse kishte drejtuar edhe shkurtimin e qindra vendeve të punës në FEMA.

Shenja e parë e tensioneve doli në mars, kur disa punonjës të FEMA-s iu nënshtruan një testi me poligraf për të zbuluar kush kishte rrjedhur në media informacion mbi një takim të brendshëm ku merrnin pjesë Hamilton, Noem dhe Lewandowski.

Në atë takim ishte diskutuar një ide radikale për zvogëlimin e FEMA-s dhe kalimin e kostove të emergjencave te shtetet, raportuan atëherë Politico dhe CNN.

Lewandowski e akuzoi personalisht Hamiltonin si burim i rrjedhjes së informacionit.

Më pas, Hamilton mori një email nga zyra e sigurisë së DHS, ku i thuhej se karakteri dhe sinqeriteti i tij ishin në dyshim dhe se duhej të kryente një test poligrafik – nga i cili ai doli i pastër.

Përplasjet vazhduan edhe më pas, dhe në fund të prillit Hamilton u tha disa drejtuesve të lartë të FEMA-s se ishte e mundur të shkarkohej.

Në mëngjesin e dëshmisë së tij në Kongres, ai i futi të gjitha gjërat e tij personale në çanta, për t’i marrë pas kthimit. Por qëndrimi i tij zgjati vetëm edhe një ditë. Më 8 maj, ai u shkarkua nga Lewandowski dhe zëvendëssekretari i DHS, Troy Edgar, gjatë një takimi të shkurtër në selinë e DHS-it.

 

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters.