Vendosni fjalën kyçe....

Kishin mbetur në det të hapur, policia shpëton dy turistët në Vlorë


Policia Kufitare e Vlorës u ka ardhur në ndihmë dy turistëve që po lundronin me një mjet detar velierë, që kishte pësuar defekt dhe kishte mbetur në det.

Mjeti detar kishte ngecur rreth 8 kilometra në det të hapur përballë gjirit të Gramës.

Pas një përpjekjeje disaorëshe, veliera u ankorua në gjirin e Portopalermos ndërsa dy turistët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Njoftimi i Policisë Kufitare të Vlorës

“Policia Kufitare e Vlorës dhe Roja Bregdetare i vijnë në ndihmë dy shtetasve të huaj që lundronin me një veliere, e cila kishte pësuar defekt në motor dhe kishin mbetur në det të hapur.

Gjatë ditës së sotme, DVKM Vlorë ka marrë njoftim se dy shtetas të huaj, në bordin e një mjeti lundrues që ndodhej rreth 5 milje në det të hapur, përballë Gjirit të Gramës, kishin nevojë për ndihmë.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë Kufitare, ku mjeti lundrues i Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi është nisur drejt koordinatave të dhëna, për të bërë të mundur lokalizimin dhe ndihmën ndaj dy shtetasve, të cilët rrezikoheshin edhe për shkak të dallgëve. Njëkohësisht, patrulla kufitare tokësore ka mbajtur nën vëzhgim të vazhdueshëm velieren.

Pavarësisht kushteve të vështira, pas disa orësh ndërhyrjeje dhe në koordinim e bashkëpunim me ekuipazhin e Rojës Bregdetare, u bë e mundur shoqërimi i velieres dhe drejtimi i saj i sigurt në gjirin e Portopalermos. Dy shtetasit e huaj ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Policia Kufitare vijon të jetë në shërbim të qytetarëve dhe turistëve, duke garantuar sigurinë në hapësirat detare dhe ndihmën e menjëhershme në çdo situatë emergjente.”