Vendosni fjalën kyçe....

Gjendet pas 37 vjetësh busti i vjedhur i varrit të Jim Morrison


Një skulpturë e këngëtarit dhe poetit të ndjerë amerikan Jim Morrison, e cila u zhduk nga varri i tij në Paris pothuajse katër dekada më parë, është gjetur, sipas policisë franceze.

“Pas 37 vitesh mungesë, u gjet busti i Jim Morrison, i vjedhur në vitin 1988 nga varrezat Père Lachaise”, shkroi Drejtoria Rajonale e Policisë Gjyqësore të Parisit në një postim në Instagram të premten.

Ai shtoi se “ky simbol ikonë për fansat e këngëtarit u gjet” gjatë një hetimi të kryer nga Brigada Financiare dhe Kundër Korrupsionit, nën autoritetin e Zyrës së Prokurorit Publik të Parisit.

“Ky ishte një zbulim i rastësishëm i bërë gjatë një kontrolli të urdhëruar nga një gjykatës hetues në Gjykatën e Parisit”, tha zyra e prokurorit për CNN në një deklaratë të martën.

Jeff Jampol, menaxher i Jim Morrison Estate, i tha CNN në një deklaratë të martën se ata ishin “të lumtur “për rizbulimin e statujës, duke shtuar: “Natyrisht që është një pjesë e historisë dhe familja e Jim dëshironte atje në varrin e tij, kështu që është kënaqësi të shohësh se ajo është gjetur”.

Morrison, këngëtari karizmatik i grupit të rrokut psikodelik të viteve 1960, “The Doors”, vdiq në vitin 1971, në moshën 27-vjeçare.

Varri i tij në kryeqytetin francez tërheq shumë adhurues të muzikës.

E vendosur në varrezat Père Lachaise, është një nga varret më të njohura në Paris, sipas faqes zyrtare të turizmit të qytetit, me turma që mblidhen atje në përvjetorin e vdekjes së tij më 3 korrik çdo vit.

Busti, i krijuar nga skulptori kroat Mladen Mikulin, u vendos në gurin e varrit të tij në 10 vjetorin e vdekjes së tij, sipas faqes zyrtare të qytetit të Parisit. Megjithatë, u zhduk në 1988.