Vendosni fjalën kyçe....

Sulm me thikë në stacionin hekurudhor të Hamburgut, 18 të plagosur, një 39-vjeçare në pranga


Tetëmbëdhjetë persona u plagosën në një sulm me thikë në stacionin kryesor hekurudhor në qytetin gjerman të Hamburgut, të premten në mbrëmje, njoftoi policia.

Policia e Hamburgut deklaroi të shtunën se katër nga viktimat, të cilët kishin pësuar plagë që rrezikonin jetën, ndodheshin në gjendje të qëndrueshme.

Oficerët arrestuan një grua 39-vjeçare, shtetase gjermane, në vendin e ngjarjes, që ndodhi rreth orës 18:00 me kohën lokale (16:00 GMT) të premten.

Policia tha se kishte “prova shumë konkrete” që tregonin për një sëmundje mendore të të dyshuarës dhe se nuk kishte të dhëna që sulmi të kishte motiv politik.

Gruaja ndodhet ende në paraburgim dhe pritet të dalë përpara gjykatës të shtunën.

Sulmi ndodhi midis platformave 13 dhe 14 – të cilat janë të arritshme përmes një rruge shumë të frekuentuar – në momentin kur një tren ndodhej në një prej platformave.

E dyshuara nisi të godiste me thikë njerëzit që prisnin trenin, por u ndalua nga “ndërhyrja e menjëhershme” e dy personave të tjerë në platformë, si dhe e forcave të emergjencës, bëri me dije policia.

Viktimat janë të moshës nga 19 deri në 85 vjeç. Shtatë persona u plagosën lehtë, shtatë rëndë dhe katër ndodhen në gjendje kritike, sqaroi policia.

Të plagosurit rëndë – një femër 24-vjeçare, një mashkull 24-vjeçar, një femër 52-vjeçare dhe një femër 85-vjeçare – ishin në gjendje të qëndrueshme që nga e shtuna./BBC