
Policia e Shtetit ka intensifikuar përpjekjet për të frenuar kultivimin e paligjshëm të saj në territore të ndryshme, nga veriu në jug.
Gjatë gjithë sezonit, deri në vjeshtë, qindra efektivë do të angazhohen në kontrolle intensive në zonat problematike. Burime zyrtare bëjnë me dije se në dispozicion të strukturave policore janë vënë 50 dronë me rezolucion të lartë, të shpërndarë në 12 drejtoritë vendore dhe policinë kufitare, për të mbikëqyrur nga ajri çdo sipërfaqe të dyshuar. Gjithashtu, do të shfrytëzohen edhe mjetet ajrore si droni “Bayraktar” dhe satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2”.
Operacionet e para në terren kanë sjellë rezultatet e para, me mbi 5 mijë rrënjë dhe kubikë kanabisi të asgjësuar. Në muajt e parë të vitit, policia është fokusuar në goditjen e kultivimit në kubikë, në fazat fillestare të rritjes.
Ashtu si në vitet e mëparshme, kontrolli ajror mbështetet edhe nga bashkëpunimi me Guardia di Finanza italiane. Helikopteri i GdF ka nisur fluturimet mbi terrenet e vështira që prej 1 majit. Pikat e nxehta mbeten malet e veriut – Shkodër, Dukagjin, Mirditë, Tropojë, Krujë dhe Dibër – si dhe në jug, ku Vlora, Tepelena dhe Skrapari shfaqin risk të lartë për kultivim.
Autoritetet paralajmërojnë kontrolle të rrepta në godina të braktisura dhe zona ushtarake, që në të kaluarën janë përdorur për mbjellje të fshehta. Po ashtu, mbikëqyrja do të përqendrohet edhe ndaj laboratorëve të brendshëm të njohur si “shtëpi bari”, një trend që është rritur vitet e fundit si pasojë e monitorimit të rritur ajror.
Gjatë vitit të kaluar, falë përdorimit të teknologjisë ajrore, u asgjësuan mbi 191 mijë rrënjë kanabisi. Vetëm Guardia di Finanza kontrolloi nga ajri gati 50% të territorit të vendit me rreth 185 orë fluturimi. Autoritetet pritet të vazhdojnë me të njëjtin intensitet edhe këtë sezon.