
Ndërkohë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar tashmë 8 prej 12 qarqeve dhe po vijon me tabelat përfundimtare të rezultateve, Partia Demokratike–Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka dorëzuar një kërkesë zyrtare me pesë pika në KQZ, duke kërkuar informacion të detajuar mbi procesin zgjedhor.
Në dokumentin e nënshkruar nga përfaqësuesi ligjor Franc Nuri, PD kërkon të dhëna mbi qarqet ku është certifikuar rezultati, përfshirë raportet e auditimit teknik, dokumentet për zarfe të diasporës, si dhe kopje të procesverbaleve dhe regjistrave nga çdo qendër votimi.
Partia Demokratike ka ngritur disa pretendime për parregullsi, përfshirë rastin në Peqin, ku sipas saj janë gjetur 10 fletë votimi të dyshuara si të falsifikuara, duke pretenduar përdorimin e metodës së ashtuquajtur “treni bullgar”. Policia ka deklaruar se fletët ishin të rreme dhe nuk përbënin provë për manipulim votash, por PD kërkon një ekspertizë të re mbi to.
Në kërkesën e saj, PD kërkon konkretisht:
Raportet e të dhënave të PEI për çdo qendër votimi në çdo qark;
Dokumente që vërtetojnë marrjen ose kthimin e zarfeve të diasporës;
Raportin e audituesit teknik për listat e zgjedhësve;
Regjistrat e posaçëm të çdo qendre votimi;
Procesverbalet e çdo qendre votimi dhe KZAZ-je në çdo qark.
Partia Demokratike thotë se dokumentacioni kërkohet për të mundësuar një ankimim të bazuar ndaj vendimeve të KQZ për certifikimin e rezultatit. Deri tani, ajo nuk ka paraqitur prova të reja për pretendimet e saj mbi parregullsitë zgjedhore.