Vendosni fjalën kyçe....

Trump kërcënon me tarifa të reja: 50% ndaj BE-së dhe 25% ndaj Apple nëse nuk prodhon në SHBA


Pesidenti amerikan Donald Trump ka shpërthyer sërish kundër Bashkimit Europian dhe kompanisë Apple, duke kërcënuar me tarifa të larta doganore që rrezikojnë të përshkallëzojnë një tjetër luftë tregtare mes SHBA-së dhe Europës.

Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, Trump deklaroi se po “rekomandon” një tarifë 50% për të gjitha mallrat që vijnë nga Bashkimi Europian, duke filluar nga 1 qershori 2025.

Ai akuzoi BE-në se ka qenë “shumë e vështirë për t’u përballur” dhe e cilësoi defiçitin tregtar me këtë bllok si “krejtësisht të papranueshëm”.

“Bashkimi Europian, që është krijuar me qëllimin kryesor për të përfituar nga Shtetet e Bashkuara në aspektin tregtar, ka qenë shumë i vështirë në negociata. Barrierat e tyre tregtare, taksat mbi vlerën e shtuar, ndëshkimet ndaj korporatave, barrierat jotarifore, manipulimet monetare dhe paditë e pajustifikuara kundër kompanive amerikane kanë çuar në një defiçit tregtar prej mbi 250 miliardë dollarë në vit. Kjo është krejtësisht e papranueshme”, tha Trump.

Ai paralajmëroi se tarifa 50% nuk do të zbatohet për produktet e ndërtuara ose prodhuara brenda Shteteve të Bashkuara, sipas The Guardian.

Në një zhvillim paralel, Trump kërcënoi gjithashtu kompaninë Apple me një tarifë 25% për çdo iPhone që nuk prodhohet në SHBA.

Ky qëndrim ka tronditur tregjet, duke sjellë rënie të ndjeshme të aksioneve të Apple në tregjet paraprake.

Këto deklarata kanë shkaktuar rënie të menjëhershme në tregjet financiare, ndërsa analistët paralajmërojnë se mund të nisë një tjetër cikël tensionesh tregtare ndërkombëtare, me pasoja për ekonominë globale dhe për çmimet e konsumatorëve.