Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria e siriane po godet grupet palestineze në territorin e saj – Raporti


Qeveria e re tranzitore siriane ka goditur fraksionet palestineze në Siri, duke i bërë ata të paketojnë valixhet dhe të largohen. Grupe të shumta palestineze si dhe grupe të tjera, kanë vepruar nga Damasku për dekada.

Këto përfshijnë Xhihadin Islamik Palestinez, Frontin Popullor për Çlirimin e Palestinës, Komanda e Përgjithshme (PFLP-GC) dhe të tjerë. Anëtarët e Hamasit gjithashtu ishin pritur dikur nga Damasku zyrtar nën Asadin.

Më 3 maj, raportet thanë se zyrtarët në Damask kishin arrestuar Talal Naji, kreun e PFLP-GC. Në fund të prillit, autoritetet e reja arrestuan gjithashtu anëtarë të Xhihadit Islamik. Këto lëvizje shihen si një mënyrë për Sirinë për të goditur grupet pro-iraniane, sepse grupet palestineze janë shpesh pro-iraniane. Irani mbështeti regjimin e Asadit dhe Asadi mbështeti këto grupe palestineze.

Qeveria e re nën Ahmed al-Sharaa, gjithashtu dëshiron të tregojë se mund të godasë grupet militante si pjesë e marrdhënies së re me SHBA-në dhe Perëndimin. Presidenti i SHBA-së Donald Trump u takua me Sharaa në Riad në mes të majit dhe Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio foli së fundmi për rëndësinë e përfshirjes së Sirisë.

Ambasadori i SHBA-së në Turqi Tom Barrack tani është i dërguari special i SHBA-së për Sirinë. Ai shkroi më 23 maj: “Ndërprerja e sanksioneve kundër Sirisë do ruajë integritetin e objektivit tonë parësor – goditjen e qëndrueshme të ISIS dhe do t’i japë popullit të Sirisë një mundësi për një të ardhme më të mirë. Në këtë mënyrë, ne, së bashku me partnerët rajonalë duke përfshirë Turqinë dhe vendet e Gjirit, po i mundësojmë qeverisë siriane të rivendosë paqen, sigurinë dhe shpresën për mirëqenie.”

Tani, burimet palestineze kanë thënë se “udhëheqësit e fraksioneve palestineze në Siri, të cilët ishin afër regjimit të mëparshëm dhe të mbështetur nga Teherani, u larguan nga Damasku pasi autoritetet e reja i goditën dhe konfiskuan pronat e tyre”, sipas Al-Arabiya.

“Fraksionet kanë dorëzuar plotësisht armët dhe u kanë dhënë autoriteteve lista me emra të anëtarëve të fraksionit që zotërojnë armë individuale,” tha një burim, sipas France24.

“Ne i kemi mbledhur vetë armët e anëtarëve tanë dhe i kemi dorëzuar, por kemi mbajtur armë të lehta individuale për mbrojtje me autorizimin e autoriteteve,” tha një burim tjetër.

“Në kampin palestinez Yarmuk në periferi të Damaskut, i cili u shkatërrua gjatë luftës, pankartat e fraksioneve që qëndronin zakonisht në hyrje, ishin zhdukur dhe ndërtesat e partisë ishin të mbyllura dhe të pambrojtura,” tha France24. Damasku gjithashtu ka sekuestruar pronat dhe bazat e stërvitjes së grupeve.

“Dy burime palestineze i thanë agjencisë së lajmeve AFP të premten se udhëheqësit e fraksioneve palestineze pro-iraniane, të cilët ishin afër ish-presidentit të mbështetur nga Teherani, Bashar al-Assad, janë larguar nga Siria nën presionin e autoriteteve të reja”.

Ai shtoi se “ata që janë larguar përfshijnë Khaled Jibril, djalin e themeluesit të Komandës së Përgjithshme të Komandës së Përgjithshme të Palestinës (PFLP-GC), Ahmad Jibril, si dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Frontit të Luftës Popullore Palestineze, Khaled Abdel Majid dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Fatah al-Intifada, Ziad al-Saghir”.

Fraksionet përfshijnë ato të mbështetura nga Hamasi, por shumë specifika nuk ishin të qarta.

“Shumica e krerëve të fraksioneve palestineze që morën mbështetje nga Teherani janë larguar nga Damasku”, tha burimi për AFP.

Ata mund të kenë shkuar në Liban. Në prill, forcat siriane të sigurisë kishin arrestuar Khaled Khaled, udhëheqësin e lëvizjes së Xhihadit Islamik Palestinez (PIJ), si dhe Abu Ali Yasser (Yasser al-Zafari), kreun e komitetit organizativ për PIJ. Udhëheqësi i PIJ-së Ziad al-Nakhalah kishte mbajtur një shtëpi në lagjen Dumar në veri të Damaskut. Ai u godit me një sulm ajror në mars, vuri në dukje Al-Arabiya.

Mediat Al-Ain vunë në dukje se presidenti i SHBA-së Donald Trump i bëri thirrje homologut të tij sirian, Ahmed al-Sharaa, gjatë takimit të tyre në Riad javën e kaluar për të “përzënë terroristët palestinezë”, sipas Shtëpisë së Bardhë. Një burim palestinez tha se grupet nuk kishin marrë ende një kërkesë zyrtare nga autoritetet për t’u larguar nga territori sirian. Megjithatë, goditja sekuestrimi i pronës dhe ndalimi i disa anëtarëve po dërgojnë një mesazh.

Grupet palestineze në Liban po përballen gjithashtu me presion

Lëvizja vjen në përputhje me një marrëveshje me presidentin palestinez Mahmud Abbas, i cili është në një vizitë zyrtare në Liban, sipas një burimi të qeverisë libaneze.

Burimi, duke folur për AFP-në në kushte anonimiteti, tha se “u arrit një marrëveshje për të filluar një plan ekzekutiv për tërheqjen e armëve nga kampet, duke filluar nga mesi i qershorit në kampet e Bejrutit, pasuar nga kampet e tjera”, gjatë një takimi të një komiteti të përbashkët.

Dy ditë më parë, Abbas dhe presidenti libanez Joseph Aoun pohuan angazhimin e tyre për të kufizuar zotërimin e armëve ndaj shtetit. Kjo erdhi gjatë vizitës së presidentit palestinez, e cila synonte të diskutonte çështjen e armëve në kampe, në një kohë kur autoritetet libaneze po kërkojnë të shtrijnë autoritetin e tyre në të gjithë territorin e tyre.

Kjo është vizita e parë e Abas në Liban që nga viti 2017. Një raport në Al-Ain në Emiratet e Bashkuara Arabe vuri në dukje se “më shumë se 220,000 palestinezë banojnë në Liban në kampe të mbipopulluara në kushte të mjerueshme dhe u ndalohet të punojnë në shumë sektorë të vendit”.

Një deklaratë e fundit nga presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas dhe presidenti libanez Joseph Aoun vuri në dukje se “të dyja palët pohojnë përkushtimin e tyre ndaj parimit të zotërimit ekskluziv të armëve nga shteti libanez dhe për t’i dhënë fund çdo manifestimi që bie ndesh me logjikën e shtetit libanez.

Ata gjithashtu theksojnë rëndësinë e respektimit të sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Libanit.”

Mund të formohet një komitet i përbashkët libanez-palestinez. Fatah dhe Hamasi janë fraksionet më të mëdha në kampe.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Jerusalem Post

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani