
Ushtarakë të lartë nga Shqipëria, Kosova, Kroacia, Gjeorgjia, Hungaria, Italia, Turqia si dhe civilë profesionistë nga institucione të ndryshme të sigurisë në vend përfunduan me sukses Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes, i zhvilluar pranë Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë.
Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Arben Kingji, komandantë forcash, ambasadorë, atashe ushtarakë, familjarë të kursantëve dhe përfaqësues të institucioneve të sigurisë.
Në fjalën e tij, ministri Vengu vlerësoi nivelin e lartë të kursit dhe rritjen e pjesëmarrjes ndërkombëtare, duke e konsideruar këtë si dëshmi të besueshmërisë dhe cilësisë së arsimit ushtarak shqiptar.
Ai theksoi se Kursi i Lartë i Sigurisë dhe Mbrojtjes nuk mbetet më vetëm në auditorë, por përfshin vizita studimore në institucione prestigjioze kombëtare dhe ndërkombëtare, duke e bërë atë më praktik dhe të lidhur me realitetet aktuale të sigurisë.
“Kolegji i Mbrojtjes dhe Sigurisë është pjesë e vizionit tonë më të gjerë për një ushtri moderne, të aftë dhe të integruar. Do të vijojmë reformat për të konsoliduar këtë institucion si hallkë kyçe të edukimit profesional në çdo nivel të hierarkisë së Forcave të Armatosura”, tha ministri Vengu.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke përmendur iniciativën për lidhjen e Kolegjit me Kolegjin Evropian të Mbrojtjes dhe Sigurisë.
KLSM ka si qëllim përgatitjen dhe aftësimin e kuadrove ushtarakë dhe civilë të nivelit strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes, Forcat e Armatosura dhe institucionet e tjera të sigurisë në vend, por edhe në ato analoge të shteteve partnere.