Vendosni fjalën kyçe....

Drejtori i AMP-së Florian Sulejmani takohet me përfaqësues të ICITAP për forcimin e bashkëpunimit



Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Florian Sulejmani, zhvilloi një takim me Zëvendësdrejtorin e Programit Ndërkombëtar të Asistencës për Trajnim në Zbatimin e Ligjit (ICITAP), Stephen Fields, i cili shoqërohej nga atasheu i ICITAP në Shqipëri, Richard Deasy.

Gjatë takimit u diskutua mbi sfidat aktuale në trajtimin e çështjeve komplekse, nevojën për modernizimin e kapaciteteve teknologjike dhe profesionale të agjencisë, si dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e zbatimit të ligjit.

Sulejmani vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të ICITAP, veçanërisht nëpërmjet asistencës për trajnimin profesional të stafit, përfshirë programet e specializuara në FBI, pajisjen me teknologji moderne dhe organizimin e vizitave studimore në institucione partnere.

Nga ana e tij, Stephen Fields përgëzoi AMP-në për arritjet e deritanishme dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në përputhje me objektivat e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Në përmbyllje të takimit, drejtori Sulejmani konfirmoi angazhimin për të vijuar dhe thelluar bashkëpunimin me ICITAP, në funksion të forcimit të integritetit institucional dhe rritjes së besimit publik.