
Sekretari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka denoncuar sot një rast të rëndë të manipulimit të votave preferenciale për kandidatët e koalicionit PD-ASHM në zgjedhjet e 11 majit, duke publikuar dokumente që sipas tij provojnë se 97 vota janë zhdukur nga procesverbali përfundimtar në një qendër votimi në Tiranë.
Në një deklaratë publike, Blushi paraqiti dy dokumente që, sipas tij, tregojnë qartë se në qendrën e votimit nr. 1531, në KZAZ nr. 30 të Tiranës, janë hedhur 106 vota për koalicionin PD-ASHM dhe 97 vota për kandidatët e tij në listën e hapur, përfshirë tre për Ilir Metajn.
Megjithatë, këto vota, thotë ai, janë zhdukur në procesverbalin përfundimtar të kësaj qendre votimi, ku rezultojnë zero.
Blushi akuzoi “komisionerët patronazhistë të Edi Ramës” për manipulim të qëllimshëm dhe për vjedhje të votave “në tavolinë”, duke e cilësuar këtë rast si provë të “masakrës elektorale” të ndodhur në 11 maj.
“Çdo ditë po dalin prova të pastra të mënyrës mafioze dhe të dhunshme me të cilën regjimi tjetërsoi vullnetin e lirë të qytetarëve, duke i shndërruar zgjedhjet në një farsë dhe falsitet total,” u shpreh Blushi.
Ai theksoi se ky rast në Tiranë është vetëm një shembull i manipulimeve që, sipas tij, kanë ndodhur në gjithë vendin.
“Kur vetëm në një qendër votimi në kryeqytet vidhen 97 vota ditën për diell, imagjinoni çfarë ka ndodhur në qytetet e tjera,” deklaroi ai.
Sipas tij, zgjedhjet e 11 majit janë shoqëruar me “banditizëm elektoral”, blerje votash, presion për bukën e gojës, përdorim të bandave, pastrim parash nga trafiku dhe drogë, si dhe keqpërdorim të administratës dhe pasurive publike.
Në përfundim, Blushi theksoi se mbrojtja e votës së lirë është një mision kombëtar dhe u zotua se opozita do të vazhdojë të denoncojë çdo rast manipulimi apo presioni ndaj qytetarëve shqiptarë.


Deklarata e Tedi Blushit:
Çdo ditë po dalin në dritë të diellit prova të pastra dhe të qarta të masakrës elektorale, që vërtetojnë para të gjithë shqiptarëve se si Narkoregjimi tjetërsoi në mënyrë mafioze dhe të dhunshme vullnetin e lirë të qytetarëve duke shkallmuar standardet e zgjedhjeve për t’i shndërruar ato në një farsë elektorale dhe falsitet total.
Sot provojmë me dokumenta zyrtare se si në qendrën e votimit 1531, në KZAZ Nr.30 në Qarkun e Tiranës janë tjetërsuar në mënyrë kriminale 97 vota për kandidatët në listën e hapur të koalicionin “PD-ASHM”, të cilat janë zhdukur qëllimisht në procesverbalin përfundimtar të kësaj KZAZ-je, ose më saktë janë vjedhur në tavolinë nga komisionerët patronazhistë të Edi Ramës.
Siç mund ta shihni, në këtë dokument zyrtar, të firmosur nga katër numërues, në qendrën e votimit 1531 në Yrshek, të KZAZ Nr.30 rezulton se 106 vota janë hedhur në kutinë e votimit për koalicionin PD-ASHM dhe 97 vota për kandidatët e aleancës tonë në listën e hapur, nga të cilat 3 vota për Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Metaj.
Ndërkohë, në procesverbalin përfundimtar të të gjitha qendrave të votimit të KZAZ Nr.30, qendra e votimit 1531, rezulton me zero vota për kandidatët e koalicionit PD-ASHM.
Kjo vjedhje flagrante e 97 votave në Tiranë është një tjetër provë e qartë e masakrës elektorale që ka ndodhur në 11 Maj.
Kur vetëm në një qendër votimi në kryeqytet vidhen 97 vota ditën për diell, imagjinoni se çfarë ka ndodhur në qendrat e votimit në qytetet e tjera të vendit.
Tanimë është fakt se 11 Maji ka qenë një farsë elektorale e dominuar nga banditizmi elektoral, “treni bullgar”, shit-blerja e votave, presionet për bukën e gojës, përdorimi i bandave dhe kriminelëve elektorale, parave të pista të trafiqeve dhe drogës, keqpërdorimi i administratës publike dhe aseteve shtetërore.
Ky regjim i bazuar mbi krimin, që bazon çdo gjë në tjetërsimin, manipulimin dhe në inflitrimin e njerëzve të korruptuar brenda opozitës, përmes mekanizmave shtrëngues të drejtësisë së re, shkaterroi standardet e zgjedhjeve, demokracinë dhe shtetin e së drejtës.
Beteja për votën e lirë është e pakthyeshme per te mbrojtur Shqiperine nga gremina dhe shqiptaret nga kthetrat e narkoshtetit kriminal.
Ne nuk do të ndalemi përballë asnjë shantazhi, presioni apo manipulimi. Do të evidentojmë dhe denoncojmë çdo shkelje, çdo abuzim, çdo tentativë për të kthyer zgjedhjet në nje farsë, formalitet dhe në falsitet total.
Deformimi i vullnetit të qytetarëve përmes presionit, shantazhit, frikës, varfërisë së qëllimshme dhe kontrollit të çdo aspekti të jetës së përditshme është një akt kriminal që nuk mund të amnistohet.
Mbrojtja e votës së lirë nuk është thjesht një qëllim politik, por një mision kombëtar për të rikthyer Shqipërinë në rrugën e demokracisë së vërtetë funksionale, të shtetit të së drejtës dhe barazisë para ligjit për të gjithë.