Vendosni fjalën kyçe....

Balluku njoftoi hapjen e tunelit të Llogarasë, Bardhi: Ku shkuan 50 milionë euro të shqiptarëve?


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka hedhur sërish akuza të forta ndaj ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, lidhur me projektin e Tunelit të Llogarasë, të cilin e cilëson si një aferë të pastër korruptive.

Reagimi i Bardhit vjen pasi Balluku njoftoi në rrjetet sociale hapjne e tunelit për sezonin turistik.

Ai shkruan se kostoja e projektit është rritur në mënyrë të pajustifikuar me miliona euro.

Sipas tij, 50 milionë euro të shqiptarëve kanë përfunduar në llogaritë e një kompanie turke, e cila ishte e paracaktuar për të fituar tenderin dhe që, sipas dokumenteve zyrtare, nuk ka kryer asnjë punim konkret në terren.

“Ministrja Balluku është rikthyer në vendin e krimit – në kantierin e tunelit të Llogarasë, ku janë zhdukur 50 milionë euro të shqiptarëve”, shkruan Bardhi.

Ai i bën thirrje Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që të nisë menjëherë hetimet për këtë çështje, duke theksuar se “abuzimi me fondet publike nuk mund të mbulohet me propagandë”.

Sipas Bardhit, kjo është një nga aferat më flagrante të qeverisë, ku janë shpërdoruar fonde publike në mënyrë të planifikuar, përmes një tenderi të paracaktuar dhe mungesës totale të transparencës.

 

Postimi:

Belinda Balluku qenka rikthyer në vendin e krimit dhe paska njoftuar rihapjen e Tunelit të Llogarasë. Kjo është një aferë e pastër korruptive, ku vlera e ndërtimit u shtua me miliona euro, që i kaluan një kompanie turke, që ishte paracaktuar nga Balluku dhe që rezulton me dokumente zyrtare që nuk ka kryer asnjë punim.

Ekzistojnë të dhëna, përfshirë dëshminë publike të një prej pjesëmarrësve në takim, se kompania fiktive turke u paracaktua si fituese në një takim në Ankara, Turqi, të zhvilluar në datën 3 Qershor 2021, pra 21 ditë para rishpalljes së tenderit.

Pyetja që po pret përgjigje nga SPAK që prej 12 Gushtit 2024 është: Ku kanë shkuar 50 milion euro të taksave të shqiptarëve? Edhe sa kohë do presin shqiptarët për një përgjigje?