Vendosni fjalën kyçe....

Administrata Trump ndalon Harvardin të regjistrojë studentë të huaj


Administrata Trump i ka hequr Universitetit të Harvardit të drejtën për të regjistruar studentë ndërkombëtarë, në kuadër të përshkallëzimit të përplasjes me këtë institucion prestigjioz të Ivy League.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare njoftoi të enjten se vendimi është marrë pasi, sipas tij, Harvardi ka krijuar një mjedis të pasigurt në kampus, duke lejuar “agjitatorë anti-amerikanë dhe pro-terroristë” të sulmojnë studentë hebrenj.

Në deklaratën zyrtare, departamenti akuzon gjithashtu universitetin për bashkëpunim me Partinë Komuniste Kineze, duke pretenduar se Harvardi ka pritur dhe trajnuar pjesëtarë të një grupi paramilitar kinez që prej vitit 2024.

“Kjo do të thotë se Harvardi nuk mund të regjistrojë më studentë të huaj dhe se ata që ndodhen aktualisht në kampus duhet të transferohen ose përndryshe humbasin statusin e tyre ligjor në SHBA,” thuhet në deklaratë.

Harvardi aktualisht ka rreth 6,800 studentë ndërkombëtarë në kampusin e tij në Kembrixh, Massachusetts – më shumë se një e katërta e numrit total të studentëve. Pjesa më e madhe janë studentë të ciklit të dytë dhe të tretë, që vijnë nga mbi 100 vende të ndryshme.

Universiteti i Harvardit ka reaguar ashpër ndaj vendimit të administratës Trump për t’i hequr të drejtën për të pranuar studentë ndërkombëtarë, duke e cilësuar veprimin si të paligjshëm dhe hakmarrës.

Në një deklaratë zyrtare, Harvardi theksoi se po punon për të udhëzuar studentët e prekur dhe paralajmëroi për pasoja të rënda.

“Ky veprim hakmarrës kërcënon me dëme serioze komunitetin e Harvardit dhe vendin tonë, dhe minon misionin akademik dhe kërkimor të universitetit,” thuhet në deklaratë.

Përplasja mes Harvardit dhe administratës Trump është intensifikuar së fundmi, pasi universiteti u bë i pari që kundërshtoi hapur kërkesat e Shtëpisë së Bardhë për reforma në institucionet elitare, të cilat Trump i ka kritikuar si qendra të liberalizmit dhe antisemitizmit./AP