Vendosni fjalën kyçe....

4 të vdekur dhe mijëra të izoluar nga përmbytjet në Australi



Katastrofa natyrore e shkaktuar nga reshje rekord në shtetin australian të New South Wales (NSW) ka marrë jetën e katër personave dhe ka lënë rreth 50 mijë banorë të izoluar nga përmbytjet, përcjell BBC. Autoritetet lokale thonë se reshjet e dendura, të shkaktuara nga një zonë presioni të ulët që lëviz ngadalë, janë më të mëdhatë që banorët e zonës kanë përjetuar ndonjëherë.

Stuhia ka prekur gjatë natës qytetet e Sydney dhe Newcastle, ndërsa Byroja e Meteorologjisë ka lëshuar paralajmërime për pjesën jugore të shtetit. Më shumë se 150 paralajmërime për përmbytje janë aktive, përfshirë 40 në nivel emergjence.

“Fatkeqësisht po përjetojmë më shpesh ngjarje ekstreme të motit dhe me intensitet më të madh,” deklaroi kryeministri australian Anthony Albanese gjatë një vizite në zonat e përmbytura. “Mendimet tona janë me komunitetet e izoluara. Jemi këtu për të thënë qartë – nuk jeni vetëm.”

Përpjekjet e shpëtimit

Shërbimi i Emergjencës së NSW (SES) tha se ka kryer mbi 535 operacione shpëtimi brenda 24 orëve, dhe më shumë se 670 që nga nisja e përmbytjeve. Më shumë se 100 shkolla janë mbyllur, mijëra banesa dhe biznese janë pa energji elektrike, dhe qendra evakuimi janë hapur për banorët që po largohen nga shtëpitë e tyre.

Taree, në bregdetin verior të mesëm të shtetit, është ndër zonat më të goditura. Niveli i një lumi të madh në qytet tejkaloi 6.3 metra, duke thyer një rekord gati njëqindvjeçar.

  • Një burrë rreth të 70-ave u gjet i pajetë pranë Coffs Harbour të premten në mëngjes, pasi dyshohet se ka hyrë me makinë në ujëra të përmbytura.

  • Të mërkurën, trupi i një 63-vjeçari (David Knowles) u gjet në një pronë në Moto, pranë Taree.

  • Të enjten në mëngjes, një burrë rreth të 30-ave u gjet i mbytur pranë Rosewood, ndërsa në pasdite u gjet edhe trupi i një gruaje 60-vjeçare në Brooklana, 30 km nga Coffs Harbour.

  • Ndërkohë, një burrë 49-vjeçar nga Nymbodia është ende i zhdukur, pasi u pa për herë të fundit duke kaluar një zonë të përmbytur.

Rreziqe në rritje dhe thirrje për evakuim

Pothuajse 10 mijë banesa në bregun verior të mesëm janë në rrezik përmbytjeje. Kryeministri i NSW, Chris Minns, u shpreh se “presim lajme edhe më të këqija”, ndërsa theksoi vështirësinë për të furnizuar komunitetet e izoluara. Ai i bëri thirrje banorëve në zonat me paralajmërim evakuimi që të largohen nëse kanë mundësi.

Ministri i Emergjencave të NSW, Jihad Dib, deklaroi se po bëhen përpjekje maksimale për të shpëtuar sa më shumë jetë. “Këto nuk janë rekorde që dëshiron të thyesh,” tha ai, “por kemi parë më shumë reshje dhe përmbytje në bregun e mesëm dhe verior se kurrë më parë.”

Shërbimet emergjente vazhdojnë të punojnë në kushte të vështira për të shpëtuar banorët dhe për të menaxhuar krizën që është shpallur si katastrofë natyrore.