
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas lajmit të ndarjes nga jeta në moshën 58-vjeçare të ish-kreut të Kadastrës, Artan Lame. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Veliaj ka shprehur ngushëllimet e tij të sinqerta për familjen e Lames, duke e cilësuar atë si një mik të çmuar dhe figurë të angazhuar në shërbim të qytetit dhe vendit.
“I pikëlluar nga lajmi i ndarjes nga jeta i Artan Lames, një mik i vyer që do t’u mungojë shumë të gjithë atyre që patën fatin ta njohin dhe të punojnë me të,” shkruan Veliaj.
Ai e përshkruan Lamen si një profesionist të jashtëzakonshëm dhe një qytetar me shpirt të madh, që kontribuoi ndjeshëm në jetën publike, si publicist, koleksionist, nënkryetar bashkie dhe mendje kritike.
“Ngushëllime bashkëshortes Mirela, fëmijëve Lisia dhe Arbis, familjes dhe miqve për këtë humbje të rëndë,” përfundon mesazhin e tij kryebashkiaku.