
Më 22 maj 2025, Gjykata Kushtetuese e Rumanisë hodhi poshtë njëzëri kërkesën e liderit të ekstremit të djathtë, George Simion, për të anuluar zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 18 maj, përcjell Politico. Simion, i cili humbi balotazhin ndaj kryebashkiakut të Bukureshtit, Nicușor Dan, pretendoi ndërhyrje të huaja nga Franca dhe Moldavia, si dhe manipulime në procesin zgjedhor.
Gjykata e cilësoi kërkesën si të pabazuar dhe vendimi i saj është përfundimtar. Ky vendim i hap rrugën betimit të Dan si president më 26 maj. Fitorja e tij është interpretuar si një sinjal i qartë për orientimin pro-perëndimor të Rumanisë dhe është mirëpritur nga aleatët evropianë dhe investitorët ndërkombëtarë.
Pas vendimit të gjykatës, Simion reagoi në rrjetet sociale, duke e quajtur atë një “grusht shteti” dhe duke u bërë thirrje mbështetësve të tij që të “luftojnë” në ditët dhe javët në vijim.
Këto zgjedhje pasuan anulimin e procesit të mëparshëm në nëntor 2024, pas dyshimeve për ndërhyrje nga Rusia dhe shkelje të rënda të rregullave zgjedhore. Në atë rast, kandidati tjetër i ekstremit të djathtë, Călin Georgescu, u përjashtua nga gara dhe aktualisht është nën hetim.
Presidenti i zgjedhur, Nicușor Dan, ka theksuar rëndësinë e rindërtimit të besimit në institucionet demokratike dhe ka premtuar përforcimin e rolit të Rumanisë në Bashkimin Evropian dhe NATO.