Vendosni fjalën kyçe....

Franca dhe Arabia Saudite synojnë të çarmatosin Hamasin në një shtytje të re për paqen – Bloomberg


Franca dhe Arabia Saudite po punojnë mbi një propozim për të çarmatosur grupin militant Hamas të mbështetur nga Irani dhe për të hapur rrugën për çmobilizimin e tij, sipas njerëzve të njohur me diskutimet.

Zyrtarët sauditë kanë qenë në kontakt me Hamasin si pjesë e kësaj përpjekjeje, sipas njerëzve të informuar për këtë çështje. Është e paqartë nëse zyrtarët francezë kanë biseduar edhe me Hamasin, i cili është cilësuar një organizatë terroriste nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja.

Objektivi është shndërrimi i grupit në një entitet thjesht politik që mund të luajë ende një rol në qeverisjen e ardhshme palestineze, thanë njerëzit, të cilët folën në kushte anonimiteti.

Njerëzit thanë se lejimi i Hamasit për të mbajtur një shkallë të pushtetit politik do e bënte më të prirur grupin për të pranuar çarmatimin. Megjithatë, Izraeli mund t’i rezistojë kësaj ideje, me qeverinë e tij që këmbëngul që grupit të mos i jepet asnjë fuqi politike pasi të përfundojë lufta në Gaza.

Ka gjithashtu tensione në rritje midis presidentit francez Emmanuel Macron dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu mbi një përpjekje franceze për të bërë më shumë vende të njohin një shtet palestinez.

Një konferencë e Kombeve të Bashkuara do mbahet muajin e ardhshëm në Nju Jork dhe do jetë e bashkëkryesuar nga Parisi dhe Riadi, me dy vendet që kërkojnë të mbledhin mbështetje për një zgjidhje me dy shtete për luftën arabo-izraelite. SHBA-ja, aleati kryesor i Izraelit, nuk ka deklaruar nëse do i mbështesë përpjekjet. Izraeli kundërshton idenë e një shteti palestinez, veçanërisht pas sulmit të Hamasit në tetor 2023, që nxiti luftën në Gaza.

Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme saudite nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Lëvizjet diplomatike vijnë mes shenjave se palestinezët po zemërohen më shumë me Hamasin, që e ka sunduar Gazën që nga viti 2007.

Qindra palestinezë protestuan për të tretën ditë të mërkurën në Gazën jugore, sipas videove të mediave sociale, duke brohoritur: “Largohuni! Largohuni! Largohuni! Hamasi duhet të ikë”.

Disa iu lutën Autoritetit Palestinez me bazë në Bregun Perëndimor që të rimerrte Gazën nga rivali i tij i ashpër Hamasi. Si presidenti i autoritetit, Mahmoud Abbas, dhe zëvendësi i tij Hussein Al-Sheikh ditët e fundit i kanë kërkuar Hamasit dhe fraksioneve të tjera palestineze që të çmilitarizohen për hir të kauzës më të gjerë palestineze.

Në një konferencë shtypi të mërkurën, Netanyahu parashtroi kushtet për t’i dhënë fund luftës 19-mujore, e cila tashmë ka kthyer në pluhur e hi pjesën më të madhe të Gazës dhe ka vrarë më shumë se 53,000 palestinezë, sipas autoritetit shëndetësor të drejtuar nga Hamasi. Lufta nisi pasi Hamasi sulmoi Izraelin, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe rrëmbyer 251. 20 nga 58 pengjet që mbahen ende në Gaza besohet se janë gjallë, sipas Netanyahut.

Kryeministri Netanyahu ka kërkuar që të gjithë pengjet të kthehen, Hamasi të dorëzojë armët dhe të largohet nga pushteti.

“Udhëheqja e tyre është dëbuar nga Gaza, ose ajo që ka mbetur prej tyre, dhe Gaza është plotësisht e lirë nga armët,” tha ai.

Përveç kësaj, ai tha se Izraeli do lehtësonte “planin Trump”, atë që udhëheqësi izraelit e quajti emigrimin vullnetar të palestinëzve të Gazës në vende të tjera. Propozimi i diskutueshëm i presidentit të SHBA-së Donald Trump, i cili është hedhur poshtë nga vendet arabe dhe myslimane, përfshirë Arabinë Saudite, përfshin largimin e banorëve të Gazës dhe rindërtimin e saj duke e kthyer në një vendpushim luksoz.

Netanyahu tha se Izraeli do vijojë me strategjinë e re ushtarake për të kapur Gazën, duke lehtësuar ofrimin e ndihmës humanitare. Nga ana e tij, Hamasi ka thënë se nuk do i lirojë pengjet nëse nuk ka një armëpushim të përhershëm dhe tërheqje të plotë të Izraelit nga Gaza.

Disa shpresojnë se një marrëveshje mund të arrihet duke pasur parasysh presionin e paparë mbi Izraelin këtë javë nga Kanadaja, Franca dhe Britania e Madhe, të cilat i kanë bërë thirrje që të “ndalojë ofensivën e rinisur ushtarake dhe të heqë kufizimet e saj për ndihmën humanitare”. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se ishte optimist për “përpjekjet e vijueshme” për t’i dhënë fund luftës.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani