
Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Ekil Nerjakun dhe Ervis Detin, të cilët janë ndaluar me qëllim ekstradimi drejt Italisë. Të dy të arrestuarit dyshohen për përfshirje në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Ekil Nerjaku njihet nga autoritetet për përfshirje të mëparshme në ngjarje kriminale, mes të cilave edhe një atentat pranë mbikalimit të Shkozetit.
Pas shqyrtimit të çështjes me dyer të mbyllura, Gjykata e Tiranës ka vendosur të shpallë moskompetencën tokësore dhe ka dërguar dosjen për kompetencë në Gjykatën e Durrësit, e cila do të shqyrtojë kërkesën për ekstradim, që pritet të mbërrijë nga autoritetet italiane.
Sipas vendimit të gjykatës, masa e sigurisë është vendosur në bazë të kërkesës së Prokurorisë dhe në përputhje me nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale. Autoritetet kanë urdhëruar njoftimin e Ministrit të Drejtësisë dhe zbatimin e vendimit nga prokuroria dhe policia gjyqësore. Palët kanë të drejtë ta ankimojnë vendimin brenda 5 ditëve në Gjykatën e Apelit.