
Politikani Dashamir Shehi ka dhënë një pasqyrë kritike të gjendjes politike në vend, duke u ndalur si te qeverisja, ashtu edhe te situata në opozitë. Ai theksoi se Shqipëria po kalon një periudhë të vështirë, ku abuzimet me pushtetin janë të pranishme dhe ku nevoja për standarde europiane është urgjente.
Shehi u shpreh se integrimi në Bashkimin Europian do të sillte një nivel më të lartë kontrolli dhe transparence mbi qeverinë shqiptare.
“Do të jemi lagje e keqe e Europës, por do vijnë ca njerëz nga Europa që do kontrollojnë qeverinë e vendit”, tha ai.
Në lidhje me Partinë Demokratike, Shehi shprehu pesimizëm për të ardhmen e saj, duke e konsideruar të dobët dhe të përçarë. Ai kritikoi ashpër marrëveshjen politike mes Edi Ramës dhe Sali Berishës, që sipas tij, ka ndikuar negativisht në performancën e opozitës në zgjedhje.
Megjithatë, Shehi nuk e mbylli krejtësisht në mënyrë negative analizën e tij. Ai vuri në dukje se ekziston një dritë shprese në politikën shqiptare – partitë e reja, të cilat në zgjedhjet e fundit arritën të marrin rreth 150 mijë vota.