
Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, ndodhet sot në një mision delikat në Uashington, ku pritet të takohet me presidentin amerikan Donald Trump në përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, të tensionuara ndjeshëm gjatë mandatit të dytë të Trump.
Takimi pritet të nisë në orën 15:30 GMT në Shtëpinë e Bardhë.
Ramaphosa shoqërohet nga ministra të kabinetit, miliarderi i luksit Johann Rupert dhe dy prej golfistëve më të njohur të Afrikës së Jugut, Ernie Els dhe Retief Goosen – të cilët kanë luajtur më parë golf me Trump dhe shpresohet të ndihmojnë në krijimin e një atmosfere më miqësore gjatë takimit, përjell Reuters.
Trump ka qenë kritik ndaj reformës së tokës në Afrikën e Jugut, një ligj që synon të korrigjojë padrejtësitë historike të epokës së aparteidit.
Ai ka dënuar gjithashtu padinë e Pretorias ndaj Izraelit për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Si pasojë, Trump ka anuluar ndihmën financiare për Afrikën e Jugut, ka dëbuar ambasadorin e saj dhe ka ofruar azil për pjesëtarë të minoritetit të bardhë afrikaner, duke përdorur pretendime për diskriminim racial që Pretoria i ka quajtur të pabaza.
“Pavarësisht nëse na pëlqen apo jo, ne jemi të lidhur ngushtë dhe duhet të bisedojmë me ta,” tha Ramaphosa në një intervistë për televizionin shtetëror të Afrikës së Jugut përpara nisjes për në Uashington.
SHBA mbetet partneri i dytë më i madh tregtar i Afrikës së Jugut pas Kinës, dhe ndërprerja e ndihmës ka sjellë pasoja të prekshme, përfshirë uljen e testimeve për pacientët me HIV.
Përveç ofertave për marrëveshje tregtare dhe investime, Ramaphosa do të propozojë edhe qasje pa taksa doganore për automjetet elektrike të kompanisë Tesla nëse kompania pranon të ndërtojë stacione karikimi në Afrikën e Jugut.
Gjithashtu është përmendur mundësia për licenca të shërbimeve të kompanisë Starlink, gjithashtu në pronësi të Elon Musk – miliarderit të lindur në Afrikën e Jugut, i cili ka akuzuar Ramaphosën për politika anti-bardha, të cilat ai i ka mohuar.
Nga ana amerikane, në takim do të jenë të pranishëm edhe nënpresidenti JD Vance dhe vetë Musk, përveç zyrtarëve të lartë të administratës.
Ministri i Bujqësisë, John Steenhuisen, pjesë e delegacionit, tha se po përpiqet të sigurojë zgjerimin e qasjes pa taksa për fermerët afrikanojugorë në tregun amerikan përmes marrëveshjes AGOA (Aktit për Rritjen dhe Zhvillimin Afrikan).
Kjo marrëveshje rrezikon të preket nga regjimi tarifor i Trump, që aktualisht është pezulluar, por në rast të rivendosjes do të vendoste një tarifë 30% për mallrat nga Afrika e Jugut.
Nga ana e tij, Trump pritet të kërkojë përjashtimin e kompanive amerikane nga “kërkesat racore”, siç i quan ai. Afrika e Jugut ka ligje që synojnë përmirësimin e përfaqësimit të zezakëve në ekonomi, duke përfshirë detyrime për përfshirje të grupeve të pafavorizuara në struktura pronësie në sektorë si minierat dhe telekomunikacioni.
Ramaphosa, megjithatë, nuk pritet të pranojë lëshime në këtë drejtim, pasi këto politika janë thelbësore për përpjekjet e qeverisë së tij për barazi ekonomike.