Vendosni fjalën kyçe....

Kanada në bisedime me SHBA për t’u bashkuar me mbrojtjen raketore “Golden Dome”



Qeveria kanadeze ka konfirmuar se është në bisedime me Shtetet e Bashkuara për t’iu bashkuar sistemit të ri të mbrojtjes raketore të quajtur “Golden Dome”, i cili synon të përballojë kërcënimet ajrore të gjeneratës së ardhshme, përcjell BBC.

Zyra e kryeministrit Mark Carney bëri të ditur se mes dy vendeve po zhvillohen diskutime aktive për sigurinë, përfshirë programe ekzistuese dhe të reja si “Golden Dome”. Sipas zëdhënëses së tij, Audrey Champoux, bisedimet janë gjithëpërfshirëse dhe konstruktive dhe përfshijnë gjithashtu forcimin e NORAD-it, sistemit të mbrojtjes ajrore dhe detare të Amerikës së Veriut që Kanadaja dhe SHBA ndajnë që nga viti 1958.

Presidenti amerikan Donald Trump prezantoi zyrtarisht projektin të martën, duke shpallur një fond fillestar prej 25 miliardë dollarësh për ndërtimin e sistemit, ndërsa tha se shuma përfundimtare do të arrijë deri në 175 miliardë dollarë. Ai shtoi se Kanadaja ka shprehur interes për t’u përfshirë dhe se “do të duhet të paguajë pjesën e saj”.

Detajet mbi mënyrën e përfshirjes së Kanadasë dhe kontributin financiar të saj nuk janë ende të qarta. Champoux theksoi se është ende herët për të dhënë hollësi mbi shumat që mund të investohen ose mënyrën se si do të funksionojë sistemi për Kanadanë.

Iniciativa vjen në një kohë të ndjeshme në marrëdhëniet dypalëshe, pas kërcënimeve të Trump për vendosjen e tarifave të larta ndaj Kanadasë dhe deklaratës së tij se Kanadaja do të ishte më mirë po të bëhej një shtet amerikan. Retorika ndezi një valë patriotizmi që çoi në fitoren historike të qeverisë liberale të Carney në zgjedhjet e fundit.

Trump tha se sistemi “Golden Dome” do të jetë operacional përpara përfundimit të mandatit të tij dhe se do të përfshijë sensorë hapësinorë dhe interceptorë të aftë për të ndaluar raketa të lëshuara nga ana tjetër e globit apo nga hapësira. Ai u shpreh se Kanadaja “dëshiron të mbrohet gjithashtu, dhe si zakonisht, ne do ta ndihmojmë”.

Modeli është pjesërisht frymëzuar nga “Iron Dome” i Izraelit, i cili përdoret që prej vitit 2011 për të ndaluar raketat dhe predhat. Megjithatë, ekspertët kanë shfaqur skepticizëm për mundësinë që SHBA të ndërtojë një sistem po aq gjithëpërfshirës në një territor më të madh dhe me sfida më komplekse.

Shashank Joshi, redaktor për çështjet e mbrojtjes në “The Economist”, deklaroi se një mënyrë për ta realizuar projektin mund të ishte vendosja e mijëra satelitëve për të gjurmuar raketat dhe më pas përdorimi i interceptorëve në orbitë për t’i goditur që në nisje. Megjithatë, ai theksoi se përfundimi i sistemit gjatë mandatit të Trump është i pamundur dhe se kostoja e lartë mund të gllabërojë një pjesë të madhe të buxhetit të mbrojtjes së SHBA.

Zyra për Buxhetin në Kongresin Amerikan ka vlerësuar se vetëm komponentët hapësinorë të sistemit mund të kushtojnë deri në 542 miliardë dollarë gjatë dy dekadave të ardhshme.