Vendosni fjalën kyçe....

Tedi Blushi: Rama në panik nga zbardhja e manipulimeve zgjedhore


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar ashpër ndaj procesit zgjedhor të 11 majit, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për mungesë transparence dhe manipulim të rezultatit.

Në një deklaratë për mediat, Blushi tha se Rama është në panik, pasi sipas tij, po afrohet momenti i zbardhjes së manipulimeve në votime. Ai e akuzoi kryesocialistin se nuk lejon as njerëzit e vet të kenë akses në transparencën e procesit zgjedhor.

“Rama ndodhet në panik para zbulimit të manipulimeve në zgjedhje. Ai nuk lejon as njerëzit e vet të kenë transparencë tek votimet,” deklaroi Blushi.

Ai theksoi se Partia e Lirisë distancohet nga zgjedhjet e 11 majit, duke i quajtur ato një farsë zgjedhore, ku – sipas tij – vullneti i qytetarëve u deformua përmes presionit, frikës dhe varfërisë së qëllimshme.

“Deformimi i vullnetit të qytetarëve përmes presionit, shantazhit, frikës, varfërisë së qëllimshme dhe kontrollit të çdo aspekti të jetës së përditshme është një akt kriminal që nuk mund të amnistohet. Vota është arma më e fortë e qytetarit në një sistem demokratik dhe kur ajo vidhet, i vidhet popullit dinjiteti, liria dhe e ardhmja,” përfundoi Blushi.