Vendosni fjalën kyçe....

Sejko: Auditimi i brendshëm më jetik se kurrë, kërkohet bashkëpunim i ngushtë për qeverisje efektive


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në fjalën e tij në konferencën rajonale “Fuqia e bashkëpunimit”, të organizuar nga Instituti i Audituesve të Brendshëm, theksoi rëndësinë jetike që ka auditimi i brendshëm në kushtet e sotme të kompleksitetit dhe dinamikës institucionale.

Ai deklaroi se në Bankën e Shqipërisë është ngritur një sistem i fuqishëm monitorimi dhe vlerësimi, ndërsa bëri thirrje për më shumë bashkëpunim ndërinstitucional në fushën e auditimit dhe qeverisjes.

“Roli i auditimit të brendshëm është bërë më jetik se kurrë. Ai nuk është thjesht një funksion kontrolli, por një partner strategjik që ofron siguri, këshillim dhe vlerë të shtuar. Ndihmon në identifikimin e hershëm të risqeve, përmirësimin e proceseve dhe ruajtjen e integritetit institucional”, u shpreh Sejko.

Ai theksoi se Banka e Shqipërisë ka investuar në mënyrë të vazhdueshme në zhvillimin profesional të auditorëve të saj të brendshëm, përmes trajnimeve, certifikimeve ndërkombëtare si Certified Internal Auditor (CIA) dhe pjesëmarrjes në seminare e konferenca.

Gjithashtu, është përforcuar metodologjia e auditimit me një qasje të bazuar në vlerësimin e rrezikut dhe është ndërtuar një sistem i fortë për monitorimin dhe vlerësimin e cilësisë së auditimeve.

Sejko përmendi edhe krijimin në vitin 2016 të Komitetit të Auditimit të Brendshëm, si një hap kyç për të nxitur pavarësinë dhe cilësinë e këtij funksioni brenda institucionit.

“Bashkëpunimi mes audituesve të brendshëm, audituesve të jashtëm dhe autoriteteve mbikëqyrëse si Departamenti ynë i Mbikëqyrjes është thelbësor për një qasje të koordinuar dhe efikase në menaxhimin e risqeve dhe forcimin e qeverisjes. Kjo nuk nënkupton mbivendosje rolesh, por ndarje të qartë dhe plotësuese të përgjegjësive”, tha guvernatori.

Në një kontekst më të gjerë, ku institucionet financiare përballen me sfida të tilla si digjitalizimi, risqet kibernetike, ndryshimet klimatike dhe kërkesat për qëndrueshmëri, Sejko theksoi se bashkëpunimi ndërmjet auditorëve dhe autoriteteve mbikëqyrëse është thelbësor për garantimin e qëndrueshmërisë financiare dhe transparencës.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Guvernatori Sejko rikonfirmoi angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të mbështetur zhvillimin profesional të audituesve, forcimin e standardeve dhe promovimin e një qasjeje të integruar në qeverisje.

Ai e konsideroi konferencën një platformë të vlefshme për shkëmbimin e eksperiencave dhe forcimin e kulturës së bashkëpunimit rajonal.

“Vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë mund të ndërtojmë institucione më të forta, më transparente dhe më të besueshme,” përfundoi ai.