
Tim Reid – Reuters
Dhjetëra mijëra punonjës të qeverisë amerikane kanë dhënë dorëheqjen, të trembur nga kërcënimet e administratës Trump për pushime masive nga puna, raportojnë sindikatat, ekspertët e administratës dhe vetë punonjësit.
Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv menjëherë pas marrjes së detyrës për të ulur ndjeshëm madhësinë dhe koston e aparatit shtetëror. Katër muaj më pas, pushimet masive ende nuk janë zbatuar, ndërsa procesi është ngadalësuar nga sfidat ligjore.
Megjithatë, afro 260 mijë punonjës civilë janë larguar ose pritet të largohen deri në fund të shtatorit, shumica përmes pakove stimuluese për dorëheqje ose pension të parakohshëm, sipas Reuters.
Nga analizat e Reuters, thuhet se Trump dhe miliarderi i teknologjisë Elon Musk, të cilët drejtojnë Departamentin për Efikasitetin Qeveritar (DOGE), kanë arritur të ulin me gati 12% fuqinë punëtore civile federale – që numëron rreth 2.3 milionë punonjës – kryesisht përmes presionit psikologjik dhe kërcënimeve për pushim nga puna.
Strategjia e presionit dhe pasigurisë
Shumë punonjës thanë për Reuters se nuk mund të duronin më stresin e përditshëm nga frika se mos pushoheshin nga puna, sidomos pasi administrata kishte dërguar vazhdimisht e-maile paralajmëruese që bashkonin oferta për t’u larguar me kërcënime për pushime të afërta.
Sipas ekspertëve, largimet masive po realizohen përmes një strategjie që shmang pengesat ligjore të pushimeve nga puna: fillimisht ofrohen stimuj për largim, më pas theksohet se pozicionet e punës janë “me produktivitet të ulët”, ose kërkohet që punonjësit të kryejnë detyra për të cilat nuk janë trajnuar.
Në disa raste, është kërkuar që punonjësit të japin raport javor me 5 arritje, një metodë që vlerësohet si përçmuese dhe demoralizuese.
Charlotte Reynolds, 58 vjeç, u largua nga pozicioni si analiste tatimore në IRS më 30 prill. “Na thanë se nuk ishim produktivë, se nuk ishim të dobishëm. Pas 33 vitesh punë të ndershme, kjo më bëri të ndihem tmerrësisht keq,” tha ajo.
Reagimi i sindikatave dhe paditë gjyqësore
Everett Kelley, president i Federatës Amerikane të Punonjësve të Qeverisë (AFGE), e cila përfaqëson 800 mijë punonjës, citoi deklaratat e shefit të buxhetit të Trump-it, Russ Vought, i cili kishte thënë më herët se punonjësit shtetërorë duhet të ndihen “në traumë” sa herë që zgjohen për të shkuar në punë.
Kelley akuzoi Trump dhe ekipin e tij, përfshirë Musk, për “ngacmim, fyerje dhe dezinformim” ndaj punonjësve civilë.
Në ndërkohë, dhjetëra padi janë ngritur ndaj përpjekjeve të administratës për pushime masive nga puna. Më 9 maj, një gjykatës federal në Kaliforni bllokoi përkohësisht pushimet nga puna në 20 agjenci federale, përfshirë Departamentet e Bujqësisë, Shëndetësisë, Thesarit dhe të Çështjeve të Veteranëve. Gjykata urdhëroi gjithashtu që punonjësit e pushuar të rikthehen në punë, duke deklaruar se një ristrukturim i tillë kërkon miratimin e Kongresit.
Megjithëse deri tani nuk ka pasur pushime masive zyrtare, shumë besojnë se Trump mund t’i ndërmarrë ato në muajt në vijim nëse gjykatat e apelit i heqin pengesat ligjore.
Pasojat njerëzore
Një punonjës në Administratën e Sigurimeve Shoqërore, i cili foli në kushte anonimiteti, pranoi se mori ofertën e dytë për largim pasi stresi i përditshëm kishte ndikuar në shëndetin e tij mendor dhe fizik. “Kishte momente kur ndihesha i rrënuar. Të kthehej çdo gjë përmbys.”
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë një numër zyrtar të punonjësve që janë larguar. Në deklaratat e mëparshme thuhet se 75 mijë persona kanë marrë ofertën e parë për largim, por nuk është bërë publik numri i atyre që kanë pranuar ofertën e dytë.
Në mesin e goditjeve të mëdha janë planifikuar shkurtimet në mbi 80,000 vende pune në Departamentin për Çështjet e Veteranëve dhe 10,000 të tjera në Departamentin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore.
Administrata Trump dhe Elon Musk thonë se byrokracia federale është e fryrë dhe joefikase, por për dhjetëra mijëra punonjës, strategjia për “efikasitet” ka sjellë pasiguri, stres dhe dëbim të heshtur nga puna.