
Tre kandidatët e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, Xhemal Qefalia dhe Frrok Gjini, kanë tërhequr ankimimet e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përmes të cilave kërkonin administrimin e pamjeve filmike nga procesi i numërimit të votave preferenciale.
Ankimimet u bënë pas rezultateve të ngushta të zgjedhjeve të 11 majit, ku disa prej kandidatëve humbën mandate me diferenca të vogla votash në raport me kundërshtarët e tyre.
Tërheqja e tyre erdhi pas një mesazhi të shpërndarë nga kryeministri Edi Rama, i cili komentoi iniciativat për rinumërim si veprime individuale që, sipas tij, rrezikojnë të cënojnë integritetin e përfaqësuesve të PS-së në procesin zgjedhor. Rama theksoi se humbja e një gare nuk duhet të çojë në vënien në dyshim të të gjithë procesit apo të angazhimit të komisionerëve që kanë ndjekur numërimin.
“Kjo do të thotë të hidhet hije mbi njerëzit tanë që kanë qëndruar pafundësisht nëpër tryeza numërimi, e që nuk e meritojnë një hije të tillë dyshimi për kontributin e tyre,” – tha Rama në mesazhin e tij.
Ndërkohë, kërkesa për administrimin e pamjeve filmike nga qendrat e numërimit është bërë edhe nga kandidatët e PD-ASHM, përfshirë Shkëlqim Shehun në Kukës, Altin Goxhajn dhe Ilirjana Kuçanën, të cilët vazhdojnë të kërkojnë transparencë për mënyrën e numërimit të votave preferenciale.
Procesi i pas-zgjedhjeve po shoqërohet me debate për korrektësinë e numërimit, veçanërisht në rastet kur diferenca mes kandidatëve ka qenë minimale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka marrë ende një vendim për kërkesat e dorëzuara nga kandidatë të subjekteve të tjera.