Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Kontrata e lobimit në SHBA s’ka lidhje me zgjedhjet, është pjesë e veprimtarisë normale të PD


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për herë të parë pas raportimeve për një kontratë lobimi prej 6 milionë dollarësh, të lidhur nga PD me një kompani amerikane. Gjatë një deklarate për mediat, Berisha u shpreh se kjo kontratë nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjet e 11 majit, por është pjesë e veprimtarisë së zakonshme të partisë që ai drejton.

Sipas tij, kontrata është realizuar përmes një fondacioni shqiptaro-amerikan, të njohur për angazhimin e tij atdhetar, i cili ka ofruar shërbimin përmes një kompanie të caktuar në SHBA.

“Nuk ka asnjë vendim për tërheqjen e kontratës,” tha Berisha, duke shtuar se marrëveshja përmban një klauzolë që u jep të drejtë palëve të tërhiqen në çdo moment – një procedurë që, sipas tij, është plotësisht normale dhe e zakonshme për kontratat e kësaj natyre.

Berisha theksoi se nuk ka asnjë problem në këtë proces dhe se gjithçka është zhvilluar në përputhje me rregullat dhe qëllimet e Partisë Demokratike.