
Për të pestën ditë me radhë, hyrjet e Gjykatës së Lartë në Novi Sad janë bllokuar nga protestues që kërkojnë lirimin e gjashtë aktivistëve të arrestuar në mars, të akuzuar për përpjekje për rrëzim të rendit kushtetues. Protesta nisi më 15 maj, pasi gjykata vendosi zgjatjen e paraburgimit të tyre.
Në mesin e protestuesve ndodhet edhe familja e profesoreshës dhe aktivistes Marija Vasiq, e cila ndodhet në grevë urie që nga data 13 maj. Për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, ajo është transferuar në spitalin e burgut në Beograd, ndërsa familja e saj ka bërë të ditur se nuk ka marrë informacione zyrtare mbi gjendjen e saj.
Komisioni Evropian ka shprehur shqetësim për shëndetin e Vasiqit, duke kërkuar që autoritetet serbe të ofrojnë kujdes të përshtatshëm mjekësor dhe të respektojnë të drejtat themelore të të paraburgosurve. Në deklaratën e tij, Komisioni theksoi gjithashtu rëndësinë e një procesi të drejtë gjyqësor dhe të kushteve humane të paraburgimit.
Protestuesit kanë paralajmëruar se bllokada do të vazhdojë deri në lirimin e aktivistëve. Policia është e pranishme, por deri më tani nuk është raportuar për përplasje. Protesta konsiderohet si pjesë e një vale më të gjerë pakënaqësie në vend ndaj korrupsionit dhe keqmenaxhimit të autoriteteve.