
Partia Demokratike ka reaguar ashpër ndaj procesit të numërimit të votave të diasporës, duke e cilësuar tërësisht të kompromentuar dhe të pavlefshëm. Në një deklaratë publike, sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në PD, Ivi Kaso, kërkoi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mos miratojë asnjë rezultat për votat e ardhura nga emigracioni deri në përfundimin e një auditimi të pavarur dhe të thelluar.
Kaso foli për një “masakër elektorale” që, sipas tij, ka kulmuar në Greqi, ku janë evidentuar një sërë parregullsish të rënda, përfshirë zarfe bosh pa fletë votimi, shpërndarje të zarfeve nga persona të lidhur me mazhorancën dhe gabime të theksuara në administrimin e votave. Ai përmendi gjithashtu raste ku vota të ardhura për një qark, si Durrësi, përmbanin fletë për qarqe të tjera, si Gjirokastra.
“Procesi është totalisht i dështuar dhe i korruptuar në palcë,” – u shpreh Kaso, duke theksuar se ai reflekton problemet që, sipas tij, kanë ndodhur edhe brenda vendit. Ai akuzoi mazhorancën për ndërhyrje politike dhe shkatërrim të besimit në një proces që kishte për qëllim t’u garantonte shqiptarëve jashtë vendit të drejtën e votës.
PD kërkon auditim të plotë të të gjithë procesit – nga regjistrimi i zgjedhësve, prodhimi dhe shpërndarja e fletëve të votimit, e deri te administrimi dhe numërimi i votave. Deri atëherë, sipas demokratëve, KQZ nuk duhet të shpallë apo miratojë asnjë rezultat për votën e diasporës.
“Ky proces ka rënë dhe nuk ka më asnjë legjitimitet. Ajo që nisi si një përpjekje për të garantuar një të drejtë kushtetuese, është kthyer në farsë nga vullneti politik i kësaj mazhorance,” përfundoi Kaso.