
Forcat speciale izraelite kanë vrarë Ahmad Sarhanin, një komandant të lartë të Brigadave Al-Nasser Salah al-Din, krahu ushtarak i Komiteteve të Rezistencës Popullore në Gaza, në një operacion të guximshëm në Khan Younis, i cili përfshiu maskime, sulme të rënda ajrore dhe, sipas burimeve palestineze, kishte si qëllim mbledhjen e inteligjencës përpara eliminimit të tij.
Sipas dëshmitarëve të cituar nga agjencia Safa, një autobus i bardhë që dukej se mbante gra të zhvendosura u ndal në rrugën Mars, në lagjen Al-Mahatta, përcjell Ynetnews.
Prej tij zbritën nëntë persona të veshur me rroba grash, disa me fytyrë të mbuluar, të tjerë të zbuluar, të cilët sulmuan shtëpinë e Sarhanit, e ekzekutuan atë dhe arrestuan bashkëshorten dhe fëmijët e tij.
Sipas raportimeve, operacioni zgjati rreth 20 minuta dhe u mbështet nga dhjetëra sulme ajrore izraelite.
Dëshmitarët treguan se dëgjuan të shtëna brenda banesës përpara se forcat izraelite të tërhiqeshin nën mbulim të sulmeve intensive nga ajri.
Mediat palestineze raportuan mbi 30 sulme ajrore gjatë një harku kohor prej 40 minutash, me pjesëmarrje të helikopterëve dhe tankeve, që lanë të vrarë e të plagosur dhjetëra persona.
Agjencia Safa pretendoi se në vendngjarje u gjetën prova fizike si bishta armësh, gëzhoja, granata tymuese, veshje grash dhe një kuti e kamufluar që ngjante me plaçka të zhvendosurve.

Platforma mediatike Al-Hares, e lidhur me grupet palestineze, deklaroi se IDF përdori një automjet civil me targa lokale, veshje grash, armë të fshehura dhe mbështetje nga ajri për të hutuar banorët.
Ajo u bëri thirrje civilëve të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë.
Burime palestineze pohuan se objektivi i misionit ishte nxjerrja e informacionit nga Sarhani përpara se të vritej. Pamjet e shpërndara nga vendi i ngjarjes treguan dyshekë të sjellë nga forcat izraelite, si pjesë e maskimit.
Po ashtu u raportua edhe vrasja e Mahdi Kawara, komandant i batalionit jugor të Hamasit në Khan Younis, ndonëse mbetet e paqartë nëse vdekja e tij ndodhi gjatë të njëjtit operacion.
IDF konfirmoi ndërhyrjen në Khan Younis si pjesë e operacioneve të vazhdueshme në Gaza, por mohoi se operacioni i së hënës kishte lidhje me ndonjë mision për shpëtim pengjesh.

Kush ishte Ahmad Sarhan?
Sarhani ishte një figurë kryesore në Brigadat Al-Nasser Salah al-Din, krahu ushtarak i Komiteteve të Rezistencës Popullore, organizata e tretë më e madhe militante në Gaza, me ideologji xhihadiste-salafiste.
Ai ishte përfshirë në rrëmbimin e ushtarit izraelit Gilad Shalit në vitin 2006, përkrah Hamasit dhe Ushtrisë së Islamit, si dhe në rrëmbimin dhe vrasjen e Eliyahu Asherit po atë ditë, ngjarje që nxiti një ndërhyrje të Izraelit në Gaza.
Gjatë viteve, grupi i tij ka kryer sulme të shumta, përfshirë vendosjen e bombave pranë rrugëve dhe hedhjen e raketave ndaj Izraelit, përpara dhe pas tërheqjes izraelite nga Gaza në vitin 2005.
Ai gjithashtu mori pjesë në masakrën e 7 tetorit 2023 dhe në rrëmbimin e Ohad Yahalomit, trupi i të cilit u kthye së fundmi në Izrael përmes një marrëveshjeje me Hamasin.