Vendosni fjalën kyçe....

Dosja “Partizani”/ Sot seanca paraprake, GJKKO vendos nëse Berisha dhe Malltezi do të gjykohen


Sot në orën 11:30, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) do të zhvillojë seancën paraprake për dosjen “Partizani”, ku pritet të vendoset nëse çështja do të kalojë për gjykim.

Të pandehur në këtë çështje janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, si dhe Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.

Seanca do të drejtohet nga gjyqtarja Floreja Davidhi, e cila do të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë për të çuar çështjen në gjykim.

Ndërkohë, mbrojtja e Berishës ka bërë përpjekje të përsëritura për të shtyrë procesin dhe ka hedhur akuza në drejtim të gjyqtares së hetimit paraprak, Irena Gjoka, duke pretenduar se ajo është dënuar më parë në Greqi për falsifikim dokumentesh.

Në seancën e fundit të mbajtur më 5 maj, avokatët e Berishës kërkuan që të shpallen të pavlefshme disa prova, duke argumentuar se çdo vendim i gjyqtares Gjoka do të ishte i papranueshëm nëse rezulton që ajo është dënuar.

Po ashtu, më 13 maj, GJKKO rrëzoi kërkesën e mbrojtjes për përjashtimin e gjyqtares Davidhi nga shqyrtimi i çështjes.

Nëse dosja miratohet për kalim në gjykim, Berisha dhe Malltezi do të përballen për herë të parë zyrtarisht me akuzat për korrupsion dhe pastrim parash, të ngritura në lidhje me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.