
Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, ka deklaruar se rekomandimet e ardhura nga qeveria dhe institucione të ndryshme për luftën kundër krimit janë duke u marrë parasysh dhe gjejnë zbatim në punën e përditshme të institucionit.
Megjithatë, Dumani theksoi se një pjesë e mirë e këtyre rekomandimeve nuk shoqërohen me analiza të detajuara apo të dhëna statistikore që mund të ndihmojnë në konkretizimin e masave. “Rekomandimet janë të mirëpritura në parim, por shpesh mbeten deklarative dhe jo të zbatueshme praktikisht,” – u shpreh ai.
Sipas tij, formulimi i përgjithshëm dhe në disa raste subjektiv i këtyre sugjerimeve e bën të vështirë përkthimin e tyre në veprime konkrete në terren. “Ka rekomandime që janë thjesht fraza të përgjithshme dhe nuk japin orientim të qartë për zbatim,” shtoi Dumani.
Ai apeloi për një qasje më analitike dhe të mbështetur në të dhëna, që të mundësojë zbatimin efektiv të këtyre rekomandimeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.