
Të paktën 17 persona u vranë dhe disa u plagosën në një zjarr që shpërtheu në një ndërtesë pranë monumentit historik Charminar në qytetin e Hyderabad, në jug të Indisë, thanë zyrtarët të dielën.
Disa njerëz u gjetën pa ndjenja dhe u dërguan me urgjencë në spitale të ndryshme, sipas mediave lokale. Ata thanë se ndërtesa kishte një dyqan bizhuterish në nivelin e tokës dhe hapësirën e banimit sipër, shkruan CNN.
“Aksidenti ndodhi për shkak të një qarku të shkurtër dhe shumë njerëz kanë vdekur”, u tha gazetarëve në vendin e aksidentit ministri Federal dhe udhëheqësi i Partisë Bharatiya Janata, G Kishan Reddy.
Drejtori i përgjithshëm i shërbimeve zjarrfikëse Telangana, Y Nagi Reddy, u tha gazetarëve se 21 persona ishin në ndërtesën trekatëshe kur zjarri filloi në katin e parë herët të dielën.
“Shtatëmbëdhjetë persona, të cilët u transferuan në spital në gjendje të pavetëdijshme, nuk mundën të mbijetojnë. Shkallët ishin shumë të ngushta, gjë që e vështirësoi arratisjen. Kishte vetëm një dalje dhe zjarri e kishte bllokuar atë,” tha ai.
Kryeministri Narendra Modi njoftoi kompensimin financiar për familjet e viktimave dhe tha në një postim në X se ai ishte “thellësisht i shqetësuar nga humbja e jetëve”.