
Donald Trump ka akuzuar ish-drejtorin e FBI-së, James Comey, se ka bërë thirrje për vrasjen e tij, pasi ky i fundit publikoi një foto enigmatike me guaska në plazh në rrjetin social Instagram.
Comey, i cili drejtoi FBI-në nga viti 2013 deri në 2017, publikoi një foto ku guaskat ishin vendosur në rërë në mënyrë të tillë që formonin numrat “8647”, duke e shoqëruar me përshkrimin: “Formacion i bukur guaskash gjatë ecjes në plazh.”
Megjithatë, aleatët e Trump e lexuan postimin si një mesazh të fshehtë që nxiste dhunë kundër ish-presidentit, duke detyruar Shërbimin Sekret të hapë një hetim zyrtar ndaj çështjes.
Pasi përballë reagimeve të ashpra, Comey fshiu postimin nga Instagrami.
Në zhargonin amerikan, veçanërisht në sektorin e shërbimeve dhe në ushtri, shprehja “86” përdoret për të treguar eliminimin e dikujt, qoftë për të mos e lejuar më në një ambient, qoftë edhe në kuptimin ekstrem të vrasjes.
Ndërsa “47” interpretohet si referencë për Donald Trump, që është presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.
“Ai e dinte shumë mirë çfarë donte të thoshte kjo. Edhe një fëmijë do e kuptonte… Ajo do të thoshte vrasje,” deklaroi Trump në një intervistë me gazetarin e Fox News, Bret Baier.
“Edhe pse nuk ishte shumë kompetent si njeri, aq sa për të kuptuar këtë e kishte kuptuar.”
Departamenti i Drejtësisë dhe Shërbimi Sekret kanë nisur hetim, pasi aleatët e Trump e kanë lexuar mesazhin si nxitje të drejtpërdrejtë për atentat ndaj presidentit.
Trump shtoi se nuk donte të merrte qëndrim për hetimin në fjalë, por rinovoi sulmet ndaj Comey-t duke e quajtur “polic të ndyrë”.
“Po të kishte një të shkuar të pastër, ndoshta do kishte vend për mëshirë,” tha Trump.
Tulsi Gabbard, drejtoreshë e inteligjencës kombëtare nën administratën Trump, kërkoi arrestimin e Comey-t, duke deklaruar:
“Kur kemi dy tentativa për vrasjen e presidentit në dy muaj, kur kemi njerëz që shikojnë te Comey-n një ikonë integriteti që promovojnë CNN dhe elita demokrate, kur ky njeri bën thirrje të fshehtë për ta goditur Trump-in, duhet të veprojmë.”
Edhe Taylor Budowich, zv.shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, reagoi ashpër, duke shkruar në platformën X:
“Ndërsa Presidenti Trump ndodhet në një vizitë ndërkombëtare në Lindjen e Mesme, ish-drejtori i FBI-së publikon atë që mund të lexohet qartësisht si ‘goditje’ ndaj presidentit – një mesazh i gdhendur në rërë.
Është shqetësim serioz dhe po trajtohet si i tillë.”
Donald Trump Jr, djali i madh i ish-presidentit, komentoi gjithashtu:
“James Comey, thjesht duke bërë thirrje për vrasjen e babait tim.
Ky është idhulli i mediave të majta. Çmenduri!”
Kristi Noem, sekretare e Sigurisë Kombëtare, konfirmoi se po hetohet postimi, duke shkruar:
“I turpëruari James Comey sapo bëri thirrje për vrasjen e @POTUS.
DHS dhe Shërbimi Sekret janë në hetim dhe do të veprojnë siç duhet.”
Drejtori aktual i FBI-së, Kash Patel, deklaroi se agjencia është në komunikim me Shërbimin Sekret dhe do të ofrojë mbështetjen e nevojshme.
Ndërkohë, senatorë republikanë e kanë dënuar postimin si “të neveritshëm” dhe kanë kërkuar që Comey të japë llogari, duke theksuar se Trump ka mbijetuar tashmë dy tentativa për vrasje.
Senatori Tommy Tuberville shkroi:
“Kjo është një KËRCËNIM i drejtpërdrejtë kundër Presidentit Trump, që ka mbijetuar tashmë dy tentativa për vrasje.
E NEVERITSHME. Comey duhet të përballet me pasojat.”
Senatorja Marsha Blackburn shtoi:
“James Comey po poston mesazhe të fshehta që aludojnë për eliminimin e Presidentit Trump.
Duke pasur parasysh atentatet ndaj tij, ndoshta ai mund të shpjegojë çfarë nënkupton me këtë?”
Përballë presionit publik, Comey e fshiu postimin dhe deklaroi:
“Nuk më shkoi kurrë ndër mend që mesazhi mund të interpretohej si thirrje për dhunë.”
Trump, i cili sot është 78 vjeç, në korrik të vitit të kaluar u qëllua në vesh gjatë një atentati të dështuar në një tubim në Butler, Pennsylvania, ku një person mbeti i vrarë dhe dy të tjerë u plagosën rëndë.
Dy muaj më pas, Shërbimi Sekret ndaloi një tjetër atentator të dyshuar, i cili u gjet i fshehur në shkurre me një pushkë pranë fushës së golfit të presidentit në Palm Beach, Florida.
James Comey, që aktualisht është autor thriller-ash, nga shumë demokratë konsiderohet përgjegjës për fitoren e Trump në 2016, pasi rihapi hetimet ndaj email-eve të Hillary Clinton vetëm 11 ditë para zgjedhjeve.
VINI RE: Ky artikull ështv pronësi intelektuale e The Telegraph